Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte nisur spastrimin etnik të Kosovës që në vitin 1998. Në një përgjigje për Gazetën Express, një zëdhënës i DASH theksoi se prioriteti i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor mbetet ruajtja e paqes dhe stabilitetit, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë thelbësore e këtij objektivi. “Prioriteti i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor është paqja dhe stabiliteti. Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është një pjesë e domosdoshme e kësaj. Ne i inkurajojmë udhëheqësit politikë të përdorin gjuhë konstruktive për të çuar përpara këtë qëllim me mirëbesim”, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit. Reagimi i Uashingtonit vjen pas deklaratës së ministres serbe, e cila nxiti reagime të shumta në Kosovë dhe më gjerë, për shkak të referimit të saj ndaj spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe krahasimit me regjimin e Sllobodan Millosheviqit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
