Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se vendi po përballet me një situatë politike të komplikuar pa asnjë nevojë, duke bërë thirrje që të gjendet një zgjidhje për krizën aktuale dhe të shmangen zgjedhjet e reja. Gjini tha se “Ne mendojmë që gjashtë pikat që i kemi radhitë janë pika që janë jashtëzakonisht të nevojshme për Kosovën. Cilado qeveri që merr përsipër me i kry, kish me i bo nder Kosovës, qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai. Problemi kryesor i udhëheqjes aktuale është mungesa e një vizioni shtetëror që shkon përtej interesave partiake. Ai kujtoi se në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës partitë politike arrinin kompromise, pasi kishin objektiva madhore si liria dhe pavarësia e vendit. “Ka pas periudha kohore kur ka qenë më lehtë me mbërri kompromise politike për shkak se Kosova i ka pasur caqet e veta. Kanë qenë shumë më të rëndësishme se me mbet në pushtet. Ka qenë koha e paraluftës, edhe pse një parti ka qenë shumë e madhe, po caku ka qenë liria, pas luftës ka qenë pavarësia”, tha ai. “Partia që i ka fitu zgjedhjet nuk e ka një ide të madhe e cila është përtej partisë ose liderit. Ambicia është vetëm me kontrollu gjithçka. Për partinë politike që i ka fitu zgjedhjet gjëja më e rëndësishme është a e kontrollon kryeministri presidentin, edhe kaq”, deklaroi Gjini.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
