Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik në Kosovë, duke bërë thirrje që vëmendja të përqendrohet te bashkëpunimi dhe dialogu i brendshëm, e jo te retorika që vjen nga Beogradi. Përmes një postimi në Facebook, Haziri tha se Serbia ka dështuar në përpjekjet e saj për spastrim etnik në Kosovë dhe se Republika e Kosovës mbetet një projekt i përhershëm. “Mos u merrni me dëshirat e ministrave dhe kryeministrave serbë, por t’i kthehemi bashkëpunimit e dialogut të brendshëm në Kosovë, që të shkaktojmë procese e të realizojmë ëndrra për bashkimin e shqiptarëve. Republika e Kosovës është projekt i përhershëm, e cila bashkon shqiptarët dhe bëhet urë e pajtimit të popujve ballkanikë”, ka shkruar Haziri. Ai theksoi se, në vend të reagimeve ndaj deklaratave provokuese të zyrtarëve serbë, institucionet dhe spektri politik në Kosovë duhet të angazhohen për forcimin e unitetit të brendshëm dhe avancimin e proceseve me interes për vendin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
