Edi Rama: Nuk bëhemi kor histerik për çdo çyryk në Beograd

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila foli për spastrim etnik në Kosovë, duke theksuar se Shqipëria e ka dhënë qëndrimin e saj përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në një postim në rrjetin social X, Rama u shpreh se nuk e sheh të nevojshme që çdo institucion apo autoritet të reagojë ndaj çdo deklarate që vjen nga Beogradi, duke e cilësuar deklaratën e ministres serbe si një “idiotësi” dhe autoren e saj si një personazh të panjohur deri në momentin kur e bëri atë deklaratë. “Ne kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten. Kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, shkroi Rama. Ai kritikoi edhe zërat në Shqipëri që, sipas tij, kërkojnë reagime të vazhdueshme ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë, duke thënë se ata “gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front”. Sipas Ramës, kërkesa që çdo figurë publike apo institucion të reagojë ndaj çdo deklarate provokuese nga Serbia nuk i shërben seriozitetit të shtetit shqiptar, ndërsa nënvizoi se reagimi zyrtar është dhënë përmes diplomacisë shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Haga refuzon kërkesat për lirim të përkohshëm, edhe Jakup Krasniqi mbetet në paraburgim

Trupi Gjykues II i Gjykatës Speciale në Hagë ka vendosur vazhdimin e paraburgimit dhe Jakup …