Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka theksuar rëndësinë e ndërtimit të një shteti të mirëfilltë ligjor, duke vlerësuar se kjo kërkon ndryshim të mendësisë, pavarësi të institucioneve dhe zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Në një reagim publik, Mustafa ka theksuar se shteti nuk mund t’u shërbejë grupeve të interesit nëse synon të jetë në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. “Shteti nuk mund t’u shërbejë grupeve të interesit kur duam t’i shërbejë ligjit”, ka shkruar ai. Sipas Mustafës, demokracia mbetet e brishtë nëse mungon një arbitër i paanshëm që garanton zbatimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve. Ai thekson se rruga drejt një shteti të konsoliduar ligjor kalon përmes transformimit të mendësisë shoqërore, ku rregullat dhe vlerat demokratike respektohen dhe zbatohen në mënyrë të barabartë në çdo nivel. Mustafa vlerëson se vetëm përmes sundimit të ligjit, pa privilegje dhe pa standarde të dyfishta, mund të ndërtohen institucione të besueshme dhe një demokraci funksionale që u shërben interesave të qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
