Deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç, të cilat u cilësuan si nxitëse të urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe si promovim i spastrimit etnik në Kosovë, kanë nxitur reagime edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një përgjigje për Klankosova.tv, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se prioritet i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor mbetet paqja dhe stabiliteti, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë thelbësore e këtij synimi. “Prioriteti i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor është paqja dhe stabiliteti. Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është një pjesë e domosdoshme e kësaj. Ne i inkurajojmë udhëheqësit politikë të përdorin gjuhë konstruktive për të çuar përpara këtë qëllim me mirëbesim”, thuhet në përgjigjen e DASH-it. Ministri i Jashtëm Ivica Daçiq doli në mbrojtje të saj, duke minimizuar deklaratat dhe duke i arsyetuar ato. Në një paraqitje të mëvonshme publike, Paunoviç tentoi të zbusë reagimet, por deklaroi se në vend të termit të përdorur më herët do të duhej të kishte përdorur fjalën “deportim” për shqiptarët, deklaratë që ka shkaktuar kritika të reja dhe është interpretuar si vazhdim i të njëjtës retorikë kundër shqiptarëve. Deklaratat e saj kanë rikthyer shqetësimet për përdorimin e gjuhës së urrejtjes në diskursin politik në Serbi, ndërsa SHBA ritheksoi se udhëheqësit politikë duhet të përdorin gjuhë që kontribuon në dialog, paqe dhe stabilitet në rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
