AKK pret vendimin e Kushtetueses, kundërshton centralizimin e rekrutimit në komuna

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se ende pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, të cilën e konsideron në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimin e autonomisë lokale. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se kërkesa është dorëzuar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në emër të kryetarëve të komunave, por deri tani nuk ka pasur asnjë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Ibrahimit, komunat vlerësojnë se rregullorja e miratuar nga Qeveria përfaqëson një tendencë të qartë për centralizimin e kompetencave, duke ia kaluar nivelit qendror përgjegjësinë për procedurat e rekrutimit të shërbyesve civilë në komuna. Ai theksoi se është e papranueshme që Ministria e Punëve të Brendshme të ketë rol vendimmarrës në përzgjedhjen e zyrtarëve civilë që do të punojnë në pushtetin lokal, pasi kjo, sipas tij, cenon kompetencat kushtetuese të komunave. Ibrahimi paralajmëroi se zbatimi i kësaj rregulloreje mund të ndikojë negativisht edhe në interesimin e kandidatëve për të konkurruar në administratën komunale, pasi procedurat e centralizuara, sipas tij, do të dekurajojnë veçanërisht profesionistët që të aplikojnë për vende pune në nivel lokal. AKK pret që vendimi i Gjykatës të sqarojë përfundimisht kompetencat ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal në këtë çështje.

Kontrolloni gjithashtu

Harry Bajraktari i kërkon Marco Rubios rishqyrtimin e mbështetjes amerikane për Gjykatën Speciale

Aktivisti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Harry Bajraktari, ka bërë të ditur se …