Në Ferizaj ka nisur nënshkrimi i peticionit “Për një Ferizaj pa Uroshevac”, një nismë qytetare që synon largimin e emrit “Uroshevac” nga të gjitha dokumentet, regjistrat dhe komunikimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës. Organizatori i peticionit, Bashkim Fazliu, tha se kërkesa është që në përdorim zyrtar të mbetet vetëm emri Ferizaj, në të gjitha gjuhët e përdorura nga institucionet shtetërore. Sipas tij, emri “Uroshevac” është vendosur nga autoritetet e Mbretërisë Serbe më 16 janar 1914 dhe nuk pasqyron identitetin historik të qytetit. Nisma ka marrë mbështetjen e institucioneve lokale, subjekteve politike dhe përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë në Ferizaj. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, deklaroi se komuna e mbështet këtë peticion, duke theksuar se qyteti është themeluar me emrin Ferizaj dhe se do të angazhohet për realizimin e kësaj kërkese në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndonëse pranoi se procesi mund të jetë sfidues. Mbështetje për nismën shprehu edhe kryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Fatbardha Zogaj Reka, e cila tha se subjekti i saj ka ngritur më herët këtë çështje përmes asamblistëve lokalë dhe deputetit Rufki Suma në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, peticionit po i bashkohen edhe qytetarë të shumtë, të cilët e konsiderojnë të rëndësishme që emri Ferizaj të jetë i vetmi emërtim zyrtar i qytetit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
