IKSHPK apelon për kujdes nga temperaturat e larta: Shmangni diellin dhe hidratohuni vazhdimisht

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë valës së temperaturave të larta, duke paralajmëruar se ekspozimi i zgjatur ndaj vapës mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të popullsisë. Përmes një njoftimi, IKSHPK u rekomandon qytetarëve të konsumojnë ujë rregullisht për të shmangur dehidratimin dhe të kufizojnë pijet me sheqer dhe alkool, të cilat mund ta përkeqësojnë humbjen e lëngjeve në organizëm. Instituti këshillon që të shmangen daljet në diell gjatë intervalit kohor nga ora 11:00 deri në 17:00, kur rrezatimi dhe temperaturat janë më të larta, ndërsa qytetarët të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të freskëta ose me hije. Po ashtu, rekomandohet veshja e rrobave të lehta prej pambuku dhe me ngjyra të çelëta, përdorimi i kremit mbrojtës ndaj rrezeve të diellit, si dhe mbrojtja e kokës dhe syve me kapelë dhe syze. IKSHPK ka kërkuar kujdes të veçantë për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike, të cilët janë më të rrezikuar nga efektet e temperaturave të larta. Instituti ka rikujtuar gjithashtu se fëmijët nuk duhet të lihen asnjëherë, qoftë edhe për pak minuta, brenda automjeteve të mbyllura, pasi temperatura në to mund të rritet me shpejtësi dhe të rrezikojë jetën. Në fund, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë ndaj shenjave të goditjes nga nxehtësia, si lodhja, marramendja, dhimbja e kokës dhe të përzierat, duke kërkuar që në rast të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj: Serbia avancon me SHBA-në, Kosova humb terren diplomatik nga qasja e Qeverisë Kurti

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Qeverisë …