Daniel Serwer: Dialogu strategjik SHBA–Serbi është fitore për Vuçiqin, Uashingtoni po toleron veprimet e Beogradit për hir të stabilitetit

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, e ka cilësuar nisjen e dialogut strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë si një zhvillim me peshë politike, duke vlerësuar se ai përbën një sukses të rëndësishëm për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pak muaj para zgjedhjeve. Në një intervistë për televizionin N1, Serwer tha se është befasuese që një dialog i tillë po iniciohet në këtë periudhë, duke e interpretuar si një sinjal të qartë të gatishmërisë së Uashingtonit për të mbështetur Vuçiqin. “Ky është një hap i madh, por mbetet të shihet se çfarë do të prodhojë në praktikë. Shumëçka do të varet nga zhvillimet e ardhshme”, deklaroi ai. Ai tha se SHBA-ja po tregon tolerancë ndaj represionit të brendshëm dhe tendencave autokratike të Vuçiqit, si dhe ndaj rolit të Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë, sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe rrëmbimit të tre policëve të Kosovës, me synimin për ta mbajtur Serbinë të orientuar drejt bashkëpunimit me Perëndimin. Serwer vlerësoi se prioriteti kryesor i Uashingtonit në Ballkan mbetet ruajtja e stabilitetit, pasi e konsideron Beogradin si aktorin që ka kapacitetin më të madh për të destabilizuar rajonin. Sipas tij, pikërisht për këtë arsye SHBA-ja po përpiqet ta angazhojë Serbinë në bashkëpunim ndërkombëtar, për të shmangur tensione të reja në veri të Kosovës, në Bosnje e Hercegovinë, përkatësisht në Republikën Sërpska, si dhe në Mal të Zi. Në fund, Serwer theksoi se, ndryshe nga Bashkimi Evropian që sipas tij është bërë më i ashpër ndaj Serbisë, Shtetet e Bashkuara kanë adoptuar një qasje më të butë, gjë që mund ta shtyjë Vuçiqin të mbështetet më shumë te Uashingtoni për të zbutur edhe qëndrimin e Brukselit ndaj Beogradit.

Kontrolloni gjithashtu

Michael Gahler kërkon shkarkimin e ministres serbe pas deklaratave për spastrimin etnik të shqiptarëve

Eurodeputeti gjerman nga radhët e Partisë Popullore Evropiane, Michael Gahler, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave …