Nisja e dialogut strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë ka nxitur reagime të ashpra nga opozita në Kosovë, e cila e konsideron këtë zhvillim si dëshmi të përkeqësimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Uashingtonit. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se raportet e Kosovës me SHBA-në ndodhen në pikën më të ulët, duke kërkuar përgjegjësi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai theksoi se, ndërsa Serbia po thellon bashkëpunimin strategjik me SHBA-në në fusha si energjia, mbrojtja dhe teknologjia, Dialogu Strategjik me Kosovën mbetet i pezulluar. Edhe deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, fajësoi Qeverinë Kurti për, siç tha, izolimin ndërkombëtar të Kosovës dhe dëmtimin e besimit me aleatin kryesor strategjik. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka ritheksuar se Dialogu Strategjik me Kosovën do të nisë vetëm kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj komunitetit serb. Në të njëjtën kohë, SHBA-ja dhe Serbia kanë nisur rundin e parë të Dialogut Strategjik, i cili synon forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, ekonomisë, arsimit dhe stabilitetit rajonal.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
