Përparim Rama: Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-në është alarm për Kosovën

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si sinjal të një izolimi strategjik të vendit. Rama krahasoi fillimin e Dialogut Strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë me pezullimin e Dialogut Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, duke theksuar se këto zhvillime pasqyrojnë prioritete të ndryshme të Uashingtonit në raport me dy vendet. “Brenda pak ditësh, Shtetet e Bashkuara artikuluan qartë prioritetet e tyre në raport me Serbinë dhe Kosovën. Me Serbinë nisi Dialogu Strategjik, niveli më i lartë i bashkëpunimit dypalësh”, ka shkruar Rama. Sipas tij, dialogu me Serbinë përfshin fusha me rëndësi strategjike si energjia, siguria energjetike, investimet në infrastrukturë, rrjeti 5G, mbrojtja, arsimi, shkenca dhe teknologjia. Rama përmendi edhe deklaratat e ish-ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili kishte paralajmëruar se reputacioni i Kosovës në Uashington është dëmtuar. “Këto janë qëndrime zyrtare të aleatit më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës dhe, si të tilla, janë shumë shqetësuese për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, u shpreh ai.  “Si ka mundësi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë arritur në pikën ku partneriteti strategjik është i pezulluar, besimi është vënë në pikëpyetje dhe Uashingtoni flet publikisht për kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë?”, ka deklaruar Rama.

Kontrolloni gjithashtu

Lulzim Rafuna: Bllokada institucionale i ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë, prodhuesit kanë nevojë për mbështetje urgjente

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se bllokada institucionale e vendit …