Kryetari Haliti mban takim koordinues për organizimin e festës tradicionale “Zoja e Madhe” në Letnicë

Me iniciativën e kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, sot është mbajtur një takim koordinues në prag të festës tradicionale “Zoja e Madhe”, e cila çdo vit organizohet në Letnicë të Vitisë dhe mbledh mijëra pelegrinë e vizitorë nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, veçanërisht nga Kroacia.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, Policisë së Kosovës, Kishës Katolike dhe institucioneve të tjera relevante, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe masave për mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje të rëndësishme fetare dhe kulturore.

Kryetari Haliti theksoi se Komuna e Vitisë ka hartuar planin e veprimit për organizimin sa më të mirë të festës, duke siguruar që të gjitha shërbimet komunale të jenë në funksion të qytetarëve dhe pelegrinëve gjatë ditëve të manifestimit.

Ai bëri të ditur se komuna do të vazhdojë bashkëpunimin me kompanitë rajonale dhe institucionet përgjegjëse për të garantuar shërbime cilësore, me theks të veçantë në grumbullimin e mbeturinave, furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, si dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.

Po ashtu, kryetari Haliti theksoi se Drejtoria e Inspekcionit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të angazhohet për menaxhimin e trafikut, sigurinë rrugore dhe qarkullimin e lirë të pjesëmarrësve gjatë gjithë periudhës së festës.

Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës konfirmuan gatishmërinë për të ofruar siguri dhe për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet komunale dhe organizatorët, me qëllim që festa të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të sigurt dhe të organizuar.

Ndërkaq, famullitari i Kishës Katolike në Letnicë falënderoi Komunën e Vitisë, Policinë e Kosovës dhe të gjithë institucionet për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në organizimin e kësaj feste tradicionale, e cila prej vitesh e shndërron Letnicën në një qendër të rëndësishme pelegrinazhi dhe bashkimi shpirtëror.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt mbledhja e radhës e Komitetit për Politikë dhe Financa, të komunës së Skenderajt

Sot, më 22.07.2026, në sallën e Bordit të Drejtorëve, është mbajtur mbledhja e radhës e …