Profesori amerikan i sigurisë dhe politikës së jashtme, David L. Phillips, ka vlerësuar se kriza e zgjatur institucionale po e dobëson seriozisht pozitën ndërkombëtare të Kosovës, duke paralajmëruar se mungesa e pjekurisë politike po pengon ndërtimin e një partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Phillips theksoi se përgjegjësia për bllokadën politike nuk bie vetëm mbi klasën politike, por edhe mbi shoqërinë, e cila, sipas tij, nuk ka ushtruar presion të mjaftueshëm për llogaridhënie dhe funksionim normal të institucioneve. Ai vlerësoi se Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer besimin e Uashingtonit, duke propozuar emërimin e një të dërguari të posaçëm amerikan që do të bashkëpunonte me Bashkimin Evropian në proceset strategjike. Phillips paralajmëroi gjithashtu se zvarritja e projekteve strategjike, përfshirë ato në sektorin e energjisë, mund t’i kushtojë Kosovës humbjen e mundësive të rëndësishme për zhvillim dhe bashkëpunim me SHBA-në. Ndërkohë, Ambasada amerikane në Prishtinë ka përsëritur se dialogu strategjik me Kosovën do të mund të rifillojë vetëm pasi vendi të ketë institucione të plota dhe funksionale, si dhe të dëshmojë hapa konkretë në përmbushjen e zotimeve të marra, përfshirë ato që lidhen me komunitetin serb. /kallxo.com/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
