Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, ka vazhduar me mbajtjen e dëgjimeve publike në kuadër të procesit të hartimit të projektbuxhetit Komunal 2027–2029. Këto dëgjime po organizohen në zbatim të obligimeve ligjore dhe Vendimit të Kryetarit të Komunës, Ekrem Kastrati, me qëllim përfshirjen e qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve buxhetore.
Mbrëmjen e kaluar u mbajtën dy takime. Fillimisht me banorët e fshatrave të Drenocit dhe Vërmicës në SHFMU Bajram Curri në Drenoc dhe me banorët e Llozicës, Balincës, Mleqanit dhe Plloqicës, në SHFMU “Gjergj Kastrioti” në Llozicë.
Prezantimin e projektbuxhetit e bënë Zyrtarët nga Drejtoria e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, të cilët informuan qytetarët për strukturën e buxhetit, investimet e planifikuara dhe prioritetet zhvillimore të komunës.
Gjatë diskutimit, qytetarët paraqitën propozimet dhe kërkesat e tyre për orientimin e buxhetit, me theks të veçantë në investimet kapitale që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin lokal dhe rritjen e mirëqenies së banorëve.
Komuna e Malishevës do të vazhdojë me organizimin e dëgjimeve publike edhe në ditët në vijim, sipas kalendarit të paraparë. Kështu të enjtën me 23 korrik do të mbahen Dëgjimet Publike me banorët e fshatrave Kijevë dhe Bubavec nga ora 18.30 në SHFMU “Kajtaz Ramadani” në Kijevë dhe në ora 20.00 me banorëte Turjakës dhe Lubizhdës në SHFMU “Fehmi Agani” në Turjakë.