Tirana i përgjigjet Podgoricës: Shqipëria jashtë çdo skenari

Shqipëria ka mohuar çdo përfshirje në skenarë të mundshëm destabilizues në Malin e Zi, pas raportimeve se kryeministri malazez Milojko Spajiç u është referuar dy vendeve të rajonit kur ka paralajmëruar për veprimtari hibride kundër vendit. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se ndaj Shqipërisë nuk ekziston asnjë akuzë zyrtare dhe se Tirana nuk do të mund të ishte pjesë e një skenari të tillë ndaj një vendi fqinj, partner dhe aleat në NATO. Hoxha ka theksuar se politika e Shqipërisë është e orientuar drejt bashkëpunimit, stabilitetit dhe integrimit evropian të rajonit, duke paralajmëruar se interpretimet mediatike dhe debatet e brendshme politike në Mal të Zi nuk duhet të dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai bëri të ditur se Tirana është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet malazeze, përfshirë zyrtarët Ibrahimoviç dhe Nik Gjeloshaj, ndërsa u ka bërë thirrje aktorëve politikë shqiptarë që për çdo informacion t’i drejtohen institucioneve kompetente, në vend të krijimit të debateve të panevojshme. Reagimi i Tiranës vjen pas deklaratave të Spajiçit se autoritetet malazeze disponojnë informacione operative serioze lidhur me përpjekje të mundshme për destabilizimin e vendit, në një periudhë kur Mali i Zi synon të përparojë drejt përmbylljes së kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian. Sipas raportimeve të medias malazeze “Vijesti”, dyshohet se në këto zhvillime mund të jenë të përfshira struktura nga të paktën dy vende të rajonit, ndërsa autoritetet malazeze nuk kanë bërë publike emrat e tyre. Hoxha ka insistuar se Shqipëria po vepron në drejtim të kundërt me çdo përpjekje për destabilizim, duke kërkuar qetësi, maturi dhe përgjegjësi në trajtimin e çështjeve që prekin sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Kontrolloni gjithashtu

Nga i dënuar për gjenocid në “hero”: Mediat serbe glorifikojnë Ratko Mlladiqin

Vdekja e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, ka nxjerrë sërish në pah …