Besnik Tahiri: Kosova po shtyhet drejt një pike kritike

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka ngritur kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për situatën e krijuar rreth moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se zvarritja e krijimit të institucioneve po e thellon krizën politike dhe po krijon pasoja që mund të shtrihen edhe në rrafshin ekonomik e shoqëror. Shumica parlamentare, sipas tij, nuk po e përmbush përgjegjësinë kushtetuese për funksionalizimin e Kuvendit dhe se kjo situatë e ka futur vendin në një gjendje të rëndë politike. Ai paralajmëroi se kriza nuk duhet parë vetëm si një përplasje mes subjekteve politike, pasi, sipas tij, pasojat mund të ndihen edhe në sigurinë shoqërore dhe në ekonominë e vendit. Tahiri e përshkroi situatën si një pikë kritike, duke theksuar se një shtet që mbetet pa institucione funksionale për një periudhë të zgjatur përballet me pasoja në vendimmarrje, zhvillim ekonomik dhe funksionimin normal demokratik. Sipas tij, kriza aktuale politike është ndër më të rëndat që ka përjetuar Kosova që nga ndërtimi i institucioneve të saj pas shpalljes së pavarësisë. Ai shkoi edhe më tej në kritikat ndaj qasjes së Vetëvendosjes, duke pretenduar se mënyra se si po menaxhohet situata mund ta çojë Kosovën drejt një krize më të gjerë identitare dhe politike. Tahiri tha se institucionet dhe subjektet politike duhet të kenë parasysh se pavarësia dhe shtetësia e Kosovës përbëjnë një nga arritjet më të rëndësishme të vendit dhe se, sipas tij, asnjë përplasje politike nuk duhet të vihet mbi funksionimin e shtetit.

Kontrolloni gjithashtu

Nga i dënuar për gjenocid në “hero”: Mediat serbe glorifikojnë Ratko Mlladiqin

Vdekja e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, ka nxjerrë sërish në pah …