Ferit Hoxha takohet me Peter Sorensen në Bled, në fokus dialogu Kosovë-Serbi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar disa takime në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, ku në fokus ishin dialogu Kosovë-Serbi, stabiliteti rajonal dhe integrimi evropian. Hoxha u takua me Peter Sørensen, Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd, me të cilin diskutoi për nevojën e një dialogu të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete. Sipas Hoxhës, përparimi në dialog dhe përshpejtimi i procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë janë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në Bled, ministri shqiptar u takua edhe me Fadi Hajlin, Sekretarin e Përgjithshëm në detyrë të Unionit për Mesdheun. Diskutimet me të u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit euro-mesdhetar dhe avancimin e projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e rajonit. Ndërkaq, në takimin me Tālis Linkaitsin, drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, në fokus ishin infrastruktura, ndërlidhja dhe mobiliteti. Hoxha tha se këto fusha janë të rëndësishme për një Ballkan Perëndimor më të integruar dhe më të afërt me tregun dhe hapësirën evropiane. Ai i përmblodhi diskutimet në tri prioritete: dialog, ndërlidhje dhe bashkëpunim, duke i cilësuar ato si shtylla të rëndësishme për stabilitetin dhe integrimin e mëtejshëm të rajonit.

Kontrolloni gjithashtu

Kurti i kërkon sërish takim Gjinit: Nuk mund t’i përmbush premtimet e një partie tjetër

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar sërish …