Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ushtruar padi në Gjykatën Supreme ndaj Ministrisë së Financave, duke kërkuar shfuqizimin e një dispozite të rregullores që përcakton marrëdhënien e punës së zyrtarëve të Administratës Tatimore të Kosovës. IKD-ja kundërshton paragrafin 2 të nenit 50 të rregullores, duke pretenduar se ai cenon statusin e zyrtarëve të ATK-së që kanë akt-emërime pa afat. Çështja lidhet me ndryshimet ligjore të vitit 2023, përmes të cilave për disa pozita drejtuese në ATK u përcaktuan mandate katërvjeçare. Dispozitat prekën edhe drejtuesit që më herët kishin emërime pa afat, duke nxitur kundërshtime dhe ankesa për cenim të të drejtave të fituara. Rasti ishte shqyrtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila në maj të vitit 2025 i shpalli të pavlefshëm paragrafët 4 dhe 6 të nenit 79 të ligjit përkatës, duke konstatuar mospërputhjen e tyre me Kushtetutën. IKD-ja thotë se ky aktgjykim përcakton se mandati katërvjeçar zbatohet për personat që emërohen ose përzgjidhen në pozita drejtuese pas hyrjes në fuqi të ligjit. Sipas institutit, statusi i drejtuesve që ishin në detyrë nuk mund të ndryshohet përmes një akti nënligjor. Për këtë arsye, IKD-ja pretendon se Ministria e Financave ka tejkaluar kompetencat duke rregulluar përmes rregullores një çështje që, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, kërkon ndërhyrje ligjore nga Kuvendi. Instituti i ka kërkuar Gjykatës Supreme që dispozitën e kontestuar ta shpallë të kundërligjshme dhe ta shfuqizojë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
