Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas refuzimit të gjashtë deputetëve të partisë për të mbështetur kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke e cilësuar zhvillimin si një moment që mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Abdixhiku ka bërë të qartë se zgjedhjet e parakohshme nuk kanë qenë pjesë e agjendës së LDK-së dhe as kërkesë e anëtarësisë së saj, por sipas tij, kjo çështje prej muajsh është shtyrë nga subjekte të tjera politike. Përmes një reagimi në Facebook, lideri i LDK-së ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke lënë të kuptohet se ndikimet politike nga jashtë partisë tashmë kanë prekur edhe zhvillimet brenda saj. “Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë”, ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se ato janë promovuar prej muajsh nga grupe të tjera politike dhe se tashmë, sipas tij, po ndikojnë edhe në rrjedhën politike të LDK-së. Në fund të reagimit, Abdixhiku ka përcjellë një mesazh sfidues, duke thënë se përballë zhvillimeve të fundit nuk do të ketë dorëzim. “Për këtë ndiej vetëm keqardhje! Por jo dorëzim. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithatë do të triumfojë!”, ka shkruar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
