Time Kadriaj: AAK pret garanci konkrete nga Kurti për kërkesat e saj

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka thënë se partia e saj nuk i ka lidhur qëndrimet politike me kërkesa për poste apo bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, por me çështje që, sipas saj, prekin interesin e qytetarëve. Duke folur për Indeksonline, ajo ka bërë të ditur se AAK ende nuk ka marrë një qëndrim të qartë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për kërkesat e paraqitura prej saj. Kadriaj ka kërkuar që Kurti të japë publikisht garanci për këto çështje, duke theksuar se komunikimet përmes përfaqësuesve nuk janë të mjaftueshme për të krijuar një bazë për diskutime të mëtejshme. Ajo ka përmendur si pjesë të kërkesave të Aleancës çështjen e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali, si dhe masa në fushën e infrastrukturës dhe mbështetjes së bizneseve të vogla. Sipas deputetes së AAK-së, qëndrimi i partisë nuk është ndërtuar mbi emra të caktuar për pozita institucionale dhe as mbi kandidatura konkrete. Kadriaj ka theksuar se Aleanca nuk ka propozuar kandidat për ndonjë post dhe se për këtë subjekt politik rëndësi kanë kërkesat dhe parimet e parashtruara. “Ne asnjëherë s’jemi prononcuar. S’kemi propozuar kandidat. Neve s’na ka interesuar emri”, ka deklaruar Kadriaj, duke përsëritur se AAK pret fillimisht një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Kurti për pikat e saj. Ajo ka lënë të hapur mundësinë e diskutimeve të mëtejshme nëse kryeministri në detyrë jep garancitë e kërkuara për çështjet e ngritura nga Aleanca.

Kontrolloni gjithashtu

Ferit Hoxha takohet me Peter Sorensen në Bled, në fokus dialogu Kosovë-Serbi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar disa takime …