Dirk Schuebel ka marrë zyrtarisht detyrën si ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, Shef i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësues Special i BE-së. Në deklaratën e tij të parë pas marrjes së detyrës, Schuebel bëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve funksionale në Kosovë, në mënyrë që vendi të mund të përfitojë plotësisht nga mbështetja dhe fondet e Bashkimit Evropian. Ai theksoi se Kosova ndodhet përballë një mundësie të rëndësishme për të avancuar reformat, për të shfrytëzuar Planin e Rritjes së BE-së dhe fondet e IPA-s, duke kërkuar njëkohësisht përgjegjësi politike dhe përkushtim ndaj agjendës së integrimit evropian. Schuebel tha se pret të bashkëpunojë me institucionet, partitë politike, shoqërinë civile, mediat dhe komunitetet e ndryshme në Kosovë, me synim përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE. Ai u shpreh gjithashtu se do të mbështesë angazhimin e Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen. Në detyrën e tij të re, Schuebel do të mbështetet nga Zëvendës Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alexis Hupin, dhe ekipi i Bashkimit Evropian në vend.