Arben Xhemajli: “E luta vëllain të tërhiqet, ma ktheu; pasha bacin kurr nuk të la… !”

E shtunë 26 shtator 1998,
Ofensiva e forcave serbe kishte marrë përmasa të papara deri më tani. Pasi kishin depërtuar nga fshatrat për rreth Çyqavicës në drejtim të fshatrave tona, Krajkovë Damanek e Baicë, pikëtakimin e kishin planifikuar në ABRI të EPËRME.
Përballë fshatit tonë, ishte Abria e Ulët, Likoci dhe Rezalla. Forcat serbe kishin depertuar në këto fshatra, duke i djegur të gjitha shtëpitë dhe pasurinë e çdo fshatari. Ishte vjeshte herë pas herë binin riga shiu, ishte një natë e gjatë, sa më bëhej sikur nuk do të agonte dita fare.
Forcat serbe ishin drejtuar, për të arritur tek popullata civile. Unë, së bashku me vëllain Valdetin, Mësuesin Vesel dhe Afrimin ju kishim ngritë priten që të mos i lejonim të depërtonin tek popullata civile. Ishim të vetëdijshëm së atë ditë aty, edhe mund të vriteshim. Vendosmëria që të luftojmë për njerëzit dhe tokën tonë, na bënte të pathyeshëm.
Forcat serbe, u lëshuan drejt pyllit dhe filluan ta kontrollonin çdo llugë e çdo skutë. Ne ishim të maskuar në një lugine, përballë tyre, dhe i prisnim me kujdes nën nishanin e armëve. Në uniforma dhe flamuj mbanin mbishkrime “Svi za Hagu”- të gjithë për Hagë.
Ata, vinin me qëllimin e vetëm shfarosjen e çdo gjeje qe ju del para. Kontrollonin ne çdo hapësirë dhe here pas here bërtisnin për të futur panikë, Dilni, dorëzohuni etj. Kërkonin në të djathë e në të majtë, pasi u afruan në distancë të vogël, ne kemi hapur zjarrë dhe, pas një betejë me shumë efekt nga ana jonë, mbeten disa trupa të tyre të vrarë e të plagosur.
Derisa isha duke e ndërruar karikatorin e mitralozit, na kanë hedhur bomba dore. Unë plagosem rëndë, 129 plagë në trup më mungonte vetem edhe një për ta rrumbullakësuar vdekjen!
Ndersa po nga e njëjta bombe dore vritet bashkëluftëtari ynë Afrimi Hajdaraj. Mësuesi Vesel, ishte pak më lartë herë pas here dëgjonim krismat por nuk dinim saktë për fatin e tij.
Vëllai Valdeti, vazhdonte betejën tani më i vetëm duke hedhur edhe bomba dore pa ndërprere. Unë, isha, n’prag të vdekjes. U mundoja t’ja lë një amanet, mendja ma thoshte, por goja se nxirrte dot fjalen.
Dëgjimin e humba, veshët me tingellonin fortë. Nga plagët, të dy këmbët më kishin lëshuar. Dora e majtë me shumë plagë, ndjenjat për jetë filluan t’më shuhen, e vetmja gjë që më ishte ngulitur n’kokë është se; luftëtari n’prag me vdekjen, pa marr parasyshë sa janë vdekjepruese plagët, dhimbje nuk ndjenë,dhe frika më nuk kishte kuptim.
E luta vëllain që të tërhiqet, më tha; nuk t’lë këtu pasha bacin, si vëllai për vëllanë, duke hapur zjarrë në trupat serbe, me mori mbi supet e tij. Në njërën dorë armën, në tjetrën vëllain.
Pasi i harxhohet municioni i mitralozit, më lëshoi n’tokë. Kthehet duke hedhur bomba dore përsëri dhe e merr armën e Afrimit.
Duke me tërhequr dhe gjuajtur në drejtim të tyre, e marrin plumbat n’gjoks. Unë mbeta i shtrirë pak metra më mbrapa, thuajse i palëvizshëm për momentin. Për disa minuta kishte rene heshtja dhe nuk dëgjohej as edhe një zë i vetëm.
Marr force dhe ashtu zvarrë i afrohem trupit të vëllait, e rrutulloi në krah, ja marr armën nga dora , pas disa minutash zvarrë tërhiqem për disa metra më larg, nga aty ku ishte zhvilluar beteja. Atë ditë, ishte një bëtejë në distancë metrash, të cilën ne e fituam përballë armikut, duke ju shkaktuar humbje të madhe në trupa këmbsorë. Çetnikët, u detyruan ta përdorin Helikopterin për t’i tërhequr kufomat e tyre.
Nga ajo betejë e përgjakur, Afrimi, Mësuesi Vesel dhe vellai Valdeti nuk u kthyen më, ata ranë dëshmorë në mbrotje të atdheut. Unë, mbeta me shumë plagë në trup. Por, sikur ma dhan një barrë të randë, për ta dhanë lajmin tek familjarët, se ata ranë dëshmorë. Flamurin e gjakosur me ngjyrë të kuqe, e lanë në një degë lisi duke valuar lartë e më lart mbi malet e fshatit Abri.
Ne, nuk dinim fare se çfarë kishte ndodhur në pjesën tjetër të fshatit tonë. Nuk e dinim që familja e bashkëluftëtarit tonë, bacës Imer Deliu, ishin të strehuar në pjesën tjetër të fshatit, pranë lagjës së tyre në “Zabelin e Rrajve”.
Barbarët serbe, të tërbuar nga humbja që pësuan, u hakmorën në Valmirin e vogël dy vjeçarë, nuk kursyen as nënën e tij, duke i dhënë gji foshnjes së vogël e vranë dhe e masakruan.
Masakruan të gjithë antarët e familjes së Valmirit. Barbarët, e prenë në fyt me thikë plakun e moshuar mbi 90 vjeçar, masakruan plotë 23 persona, fëmijë, gra e të moshuar. Aty e vranë dhe masakruan edhe mësuesin Habib Deliun që për katër vite kishte qene mësuesi i vëllait Valdetit. Ishte gjenocid i paparë mbi civilë të pafajshëm.
Po atë ditë, në një pjesë tjetër të fshatit, të strehuar në mal, i kishin zën robë disa burra civilë. I kishin marrë dhe dërguar në qendër të fshatit Likoc. I kishin maltretuar brutalisht, aty vranë Driton Hysenaj, 16 vjeç duke ia prerë kokën më thikë. Tërbimi çetnik kishte kaluar çdo ligj lufte.
Sot, kur kaloi aty pari, pranë varrezave të lagjës Deliu, ndalem përulem para tyre, e shikoj fytyrën e njomur të Valmirit dhe, i kërkoi ndjesë që nuk mundem të bëjmë më shumë për ta, sepse ishim të paktë në numër, dhe të paktë në armatim. Është nder të paktat ngjarje, ku unë ndihem i thyer dhe i ligështuar. Edhe pse bota ishte në dijeni për këtë krim makabër, tërë masakra ishte e inqizuar dhe filmuar e dokumentuar me fakte, bota civilizuese mbylli sytë dhe nuk veproj fare.
Nga atëherë e deri më sot, asnjë kriminel nuk u sollë para drejtësisë, janë bërë plotë 28 vite. Turpi le të bije mbi ta.
Unë pata fatin që të jem njeri nga djemtë e rradhitur në UÇK dhe, të ndajë momentet e fundit të jetës me shumë bashkëluftëtarë që kanë rënë në fushën e nderit ndër ta: Rasim Kiqina, Ragip Halilaj, Xhevat Demaku, Bedri Demaku, Ymer Shala, Vesel Demaku, Afrim Hajdaraj dhe vëllai Valdet Xhemajli. Isha protagonist i rënjes se gjithë këtyre heronjëve në tri beteja të ndryshme pa numëruar betejat tjera qe tanimë ishin bërë normale në secilën dite. ( shpresoj të kemi jetë, e të flasim për secilën betejë e dëshmorë veç e veç).
Sot, kur ne, përkujtojmë vëllain Valdetin dhe dy bashkëluftëtarët e rënë, Mesuesin Vesel, Afrim Hajdarin, si dhe masakren e Familjes Deliu në këtë përvjetor, barra na është rënduar, të gjithë ne, prisnim me gëzim lirimin e Çlirimtarëve nga Haga, lajmi na u kthye në bumerang. Është tepër e padrejtë që me një verdikt të politizuar të dënohen themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
Përpjekjet e popullit tonë për liri nuk janë ndalur kurrë, por Ushtria Çlirimtare e Kososvës, është jetësimi i të gjitha aspirtatave për Liri e Pavarësi.
Unë, pata fatin që Çlirimtarët, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ti njoh në rrethana lufte. Dhe i kujtoj përpjekjet e tyre titanike për mbrojtje të popullatës civile. Hashim Thaçin, e mbajë mend një natë para se unë të plagosem, e shokët e mijë bashkë me vëllain të vriten, në ato rrethana të rrethimit, porosia e tij e vetme ishte: djema kujdes na duhen ushtare.
Kadri Veselin e Rexhep Selimin i mbaje mend kur në kushte lufte, ishin ardh rreth orës 0300 të mëngjesit të datës 08 prill 1999, për t’ju dhënë lamtumirën e fundit heronjëve Xhevat Demaku Bedri Demaku dhe Ymer Shala.
Bacin Jakup më shumë e njoha nga zëri i Radio Kosova e Lire. Kjo është padrejtësia më e madhe që do të mbahet mend gjatë, dhe do të lë gjurmë të paqena mbi UÇK-në.
Unë, nga këtu ju bëj thirrje të gjithë faktorëve politik dhe atyre që kanë përgjegjësi në nivele të ndryshme; bëhuni bashkë e largoni këtë Re të zezë mbi Kosovë, para se të jet shumë vonë.
JO NË EMRIN TIM!
NË EMRIN TIM LAVDIJA I TAKON
UÇK-së

Kontrolloni gjithashtu

Michael Doyle: Është lëshuar urdhër nga trupi gjykues që seancat kundër krerëve të UÇK-së të jenë sa më shumë, në seanca publike

Mona Agrigoroaiei: Gjykata Speciale… e Serbisë!

Për çdo shqiptar që e ka përjetuar kohën e errët të pushtimit, që i ka …