Haradinaj: Kemi bërë disa gabime, por ligji për Specialen duhet të votohet në dy lexime

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Aleanca do ta mbështesë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se institucionet e Kosovës gjatë rrugëtimit të tyre kanë bërë edhe gabime dhe lëshime, por, sipas tij, këto nuk e bëjnë popullin e Kosovës përgjegjës.

“Kemi bërë disa gabime, por ligji duhet të votohet në dy leximet”, tha Haradinaj.

Ai kërkoi që projektligji të procedohet për miratim në dy lexime.

“Një nen i ligjit të sotëm, Aleanca e voton. I kërkojmë me mocion ta vendosim në dy lexime”, deklaroi Haradinaj.

Kuvendi i Kosovës më pas e miratoi në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në votim morën pjesë 91 deputetë dhe të gjithë votuan pro, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim.

Projektligji tash duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.

Ndryshimet e propozuara kanë të bëjnë me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ndërsa Komisioni për Legjislacion e kishte përkrahur në parim projektligjin para shqyrtimit në seancë plenare.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi mblidhet sot për Projektligjin për Dhomat e Specializuara, në sfond edhe zgjedhja e presidentit

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme me 22 pika …