Kurti: Për Hagën na duhet strategji serioze, jo vendime të ngutshme

Kryeministri, Albin Kurti, ka deklaruar se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara duhet të trajtohen me më shumë kujdes dhe në kuadër të një strategjie më të gjerë institucionale për proceset në Hagë. Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se për shqyrtimin e projektligjit ka pasur pak kohë dhe se ndryshimet, sipas tij, janë proceduar me nxitim.

“Ka qenë një kohë shumë e shkurtër për ta analizuar si duhet ligjin. Ne konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshime janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar sa duhet”, tha Kurti.

Ai iu referua edhe themelimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se vendimet e atëhershme ishin marrë pa u dëgjuar qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Vendime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2013 dhe 2015, kur është votuar Gjykata Speciale. Atëherë s’na keni dëgjuar. Të paktën sot është dashur të na konsultoni dhe të trajtohet seriozisht”, deklaroi ai.

Kurti tha se përgjegjësia për problemet që mund të jenë shfaqur rreth Dhomave të Specializuara duhet t’u adresohet atyre që kanë marrë vendimin për themelimin e tyre.

“Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan, jo atyre që e kundërshtuan. Përgjegjësinë e mbajnë ata që e themeluan”, tha Kurti.

Megjithatë, ai konfirmoi se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë projektligjin, duke theksuar se vota për ndryshimet duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi politike për hapat e ardhshëm.

“Ne s’po ju pengojmë. Por bashkë me këtë votë duhet ta merrni edhe përgjegjësinë politike. Adresa e fitores është Apeli. Për fitore nevojitet organizim dhe strategji”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, Kosovës i nevojitet një qasje e koordinuar dhe një strategji e qartë për proceset që zhvillohen në Hagë.

“Na duhet strategji serioze për Hagën, por edhe institucione funksionale dhe qeveri stabile”, tha ai.

Kurti e lidhi trajtimin e çështjes së Hagës edhe me funksionimin e institucioneve të Kosovës, duke argumentuar se ndryshimet ligjore nuk mund të trajtohen të shkëputura nga stabiliteti institucional.

“Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional dhe pa president rrezikon dështimin. Duhet ligj në Hagë dhe president në Kosovë”, deklaroi Kurti.

Në fund të fjalës së tij, Kurti falënderoi Hamzën për takimet që i cilësoi konstruktive dhe paralajmëroi se gjatë ditës do të zhvillohen edhe takime të tjera.

“Duhet të ecim përpara të gjithë bashkë”, përfundoi Kurti.

Kontrolloni gjithashtu

Sonja Biserko: Edhe pas Vuçiqit, Serbia nuk pritet të ndryshojë shpejt qëndrimin ndaj Kosovës

Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, vlerëson se …