Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se Kosova vazhdon të kërkojë drejtësi në proceset që zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë. Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Hamza e ka cilësuar si të rëndë për Kosovën procesin e themelimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se PDK-ja vazhdon të besojë në drejtësi. Ai kundërshtoi akuzat për trafikim të organeve njerëzore, duke thënë se ato, sipas tij, nuk janë vërtetuar.
“Kemi besuar në drejtësi, vazhdojmë të besojmë në drejtësi. Kërkojmë drejtësi. Ka qenë një proces shumë i rëndë për Kosovën”, tha Hamza.
Sipas tij, themelimi i Dhomave të Specializuara ishte votuar nga deputetët e atëhershëm me besimin se procesi do të trajtonte përgjegjësinë individuale dhe do të zhvillohej në përputhje me parimet e drejtësisë. Hamza tha se PDK-ja nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara, por që procesi të vazhdojë brenda mandatit të tyre.
“Nuk po e mbyllim gjykatën, por të vazhdojë hetimin për atë që është krijuar”, u shpreh ai.
Ai tha se mundësia e apelit në Hagë është lënë që vendimet e mëtejshme të merren në bazë të materialit të çështjes.
“E kemi lënë që apeli të zhvillohet atje”, tha Hamza.
Në fund të fjalës së tij, kryetari i PDK-së iu referua edhe debatit për rolin e subjekteve politike në periudhën e luftës.
“Kur është organizuar UÇK-ja, PDK-ja e VV-ja nuk kanë ekzistuar fare”, deklaroi Hamza.
Fjalimi i tij u mbajt gjatë debatit parlamentar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
