Në Viti u zhvillua një veprimtari e veçantë kulturore dhe letrare, në kuadër të së cilës u bënë përurimi i dy librave të poetit Ali Tahiri, ”Vragët e Jetës” dhe “Racë Luftëtarësh” duke sjellë para lexuesve një krijimtari të ndërtuar mbi përvojën jetësore, kujtesën, dashurinë për vendin dhe reflektimin mbi ngjarjet që kanë shënjuar jetën e autorit dhe historinë shqiptare.
Në moderimin e z,Tefik Salihut, përurimi u shndërrua në një takim të veçantë me fjalën poetike dhe veprën e autorit, ku u fol për vlerat letrare, temat dhe mesazhet që përcjell krijimtaria e Ali Tahirit. Në këtë veprimtari morën pjesë krijues, studiues, miq, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të letërsisë, të cilët ndanë vlerësimet e tyre për veprën e poetit.
Në fokus të veprimtarisë ishte edhe vëllimi “Vragët e jetës”, një titull që, përmes vetë simbolikës së tij, përmbledh një pjesë të rëndësishme të përvojës njerëzore dhe krijuese të autorit. Në poezinë e Ali Tahirit, përvoja personale ndërthuret me kujtesën kolektive, ndërsa dhimbja, koha, atdheu dhe historia marrin formë përmes vargut.
Nexhmedin Bardhi: Poezia e Ali Tahirit si kujtesë, identitet dhe dëshmi
Duke folur për krijimtarinë e poetit, recensenti Nexhmedin Bardhi u shpreh se është kënaqësi të flasësh për veprën e një poeti që në qendër të vargut vendos dashurinë për vendin, jetën dhe njeriun. Bardhi u ndal veçanërisht te vëllimi “Vragët e jetës”, duke vlerësuar se vetë titulli bart një ngarkesë të fuqishme emocionale dhe kuptimore. Sipas tij, vragët që përshkruan poeti nuk mbeten vetëm në përvojën individuale, por hapen drejt shoqërisë dhe lexuesit, duke u shndërruar në rrëfime poetike mbi kohën dhe fatin kolektiv.
Në krijimtarinë e Ali Tahirit, siç theksoi Bardhi, zënë vend kujtesa historike dhe identiteti kombëtar, ndërsa shpirti shfaqet si metaforë e fuqishme e përjetimit njerëzor, kujtesës dhe qëndresës.
Në vargjet e tij gjejnë vend edhe figura dhe ngjarje që kanë shënjuar historinë e shqiptarëve, përfshirë dëshmorët dhe heronjtë, tragjedinë e Tivarit, atë që autori e koncepton si “Gjykata e Turpit”, si dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes kësaj krijimtarie, poezia e Ali Tahirit merr edhe rolin e dëshmisë dhe të ruajtjes së kujtesës historike.
Ardian Haziri: “Vragët e jetës” si dëshmi e përvojës dhe qëndresës
Për veprën foli edhe redaktori Ardian Haziri, i cili vlerësoi se dimensioni poetik i “Vragëve të jetës” shfaqet që në vetë titullin e saj.
Sipas Hazirit, “vragët” nuk janë vetëm shenja të së kaluarës, por bartin në vete kujtesën, përvojën dhe gjurmët që koha ka lënë në jetën e autorit. E kaluara në poezinë e Ali Tahirit nuk mbetet e mbyllur në kohë, por rikthehet si kujtim, përvojë dhe reflektim mbi jetën.
Poezitë e tij, të mbështetura në atë që autori ka parë, ndier dhe përjetuar, i japin veprës një dimension të veçantë emocional. Përmes tyre, përvoja personale shndërrohet në një dëshmi që komunikon me lexuesin dhe merr kuptim më të gjerë shoqëror e njerëzor.
Ali Tahiri nderohet me Mirënjohje Karriere
Në përmbyllje të kësaj veprimtarie letrare, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Ramadan Musliu” në Viti i ndau poetit Ali Tahiri Mirënjohje Karriere, në shenjë vlerësimi dhe falënderimi për kontributin e tij të çmuar në krijimin, zhvillimin dhe promovimin e letërsisë shqipe.
Mirënjohja iu dha me rastin e pensionimit, si vlerësim për përkushtimin, angazhimin dhe veprën e tij të vyer ndër vite, duke lënë gjurmë të rëndësishme në jetën kulturore dhe letrare.
Në këtë mënyrë, përurimi i dy librave u shndërrua edhe në një moment nderimi për një krijues që për vite me radhë i ka shërbyer letërsisë dhe kulturës.
Përkundër gjendjes së tij shëndetësore, Ali Tahiri në fund të ceremonisë përshëndeti një nga një të pranishmit dhe i falënderoi përzemërsisht për pjesëmarrjen, respektin dhe fjalët e mira kushtuar krijimtarisë së tij.
Ishte një përmbyllje e ndjeshme e një dite kushtuar librit, poezisë dhe një karriere të tërë krijuese — një ditë në të cilën vepra e Ali Tahirit u vu në qendër të vëmendjes, ndërsa mirënjohja u bë dëshmi e respektit për rrugëtimin e tij letrar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
