Enver Hasani: Zgjedhja e Shiroka-Pulës është kushtetuese, nuk shoh çështje për Gjykatën Kushtetuese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Kosovës është bërë në përputhje me Kushtetutën. Hasani ka hedhur poshtë pretendimet se procesi i votimit mund të konsiderohet antikushtetues, duke thënë se çështja nuk përbën rast për Gjykatën Kushtetuese. “Pa asnjë diskutim që po. Nëse dikush do të përfundojë në gjykatë, le të përfundojë në gjykatë dhe gjykata e jep fjalën e saj. Nuk ka çështje kushtetuese këtu”, ka deklaruar Hasani. Ai ka kundërshtuar veçanërisht debatet rreth minutave të fundit të procesit të zgjedhjes së presidentes, duke e cilësuar të pabazuar diskutimin nëse procedura është përfunduar brenda afatit kushtetues. Hasani ka thënë se pas zgjedhjes së presidentes së re, Kosova duhet të hyjë në një fazë të re institucionale dhe të adresojë, sipas tij, pasojat e një periudhe të gjatë të pasigurisë kushtetuese. “Tani jam optimist se kemi dalë nga gjendja jokushtetuese. Fillon rikthimi dhe sanimi i pasojave të gjendjes jashtë Kushtetutës në të cilën kemi jetuar për disa muaj”, është shprehur ai. Ish-kryetari i Kushtetueses ka komentuar edhe marrëveshjen politike që i parapriu zgjedhjes së Shiroka-Pulës, duke vlerësuar se presioni qytetar ka ndikuar në arritjen e kompromisit ndërmjet partive politike. Sipas Hasanit, protestat e zhvilluara në javët e fundit kanë ushtruar presion mbi Qeverinë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. “Kosova ra në çdo nivel. Shkoi shumë pranë kaosit, sepse iu dha shumë hapësirë një diskursi që nuk ishte më as populizëm”, ka deklaruar Hasani.

Kontrolloni gjithashtu

Më 8 tetor 1912, filloi Lufta e parë Ballkanike midis Perandorisë Osmane dhe Lidhjes Ballkanike, që shkatërroi trojet shqiptare

Më 8 tetor të vitit 1912, filloi  Lufta e parë Ballkanike midis Perandorisë Osmane dhe …