Ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka deklaruar se një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës janë lodhur nga përplasjet dhe debatet e vazhdueshme ndërmjet liderëve dhe subjekteve politike gjatë dy viteve të fundit. Mustafa tha se qytetarët e kanë mirëpritur përfundimin e një procesi të gjatë politik, pasi, sipas tij, vendi ka kaluar për një kohë të gjatë në një situatë të përsëritur politike. “Shumica e madhe e qytetarëve të Kosovës janë gëzuar që iu vendos pika mbrëmë këtij procesi, sepse jemi lodhur, jemi ngopur bile muaj përpara, me gjithë këto diskutime të njëtrajtshme edhe me gjithë këtë ping-pong që është luajtur në mes të subjekteve politike dhe të liderëve”, ka thënë Mustafa. Sipas tij, kjo situatë ka krijuar te një pjesë e qytetarëve përshtypjen se mungon vullneti i mjaftueshëm politik për stabilizimin e institucioneve dhe të shtetit. “Është krijuar një bindje te një masë e madhe e popullsisë sikur të mos ekzistojë qëllimi i mirë për ta stabilizuar shtetin dhe jo vetëm prej njërës palë”, ka deklaruar Mustafa.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
