Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka komentuar reagimet e ndërkombëtarëve pas ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Tahiri ka deklaruar se ndryshimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës erdhi, sipas tij, si rezultat i asaj që ai i konsideron dështime të shumta gjatë procesit gjashtëvjeçar. “Ajo çka ka ndodhë në Kuvendin e Kosovës është shumë e thjeshtë. Është ndryshuar një ligj i cili vjen si rrjedhojë e shumë dështimeve, jo vetëm në procesin gjashtëvjeçar, mirëpo edhe në aspektin dhe qëllimin për çka është distancuar”, ka deklaruar Tahiri. Sipas tij, kufizimi i paraparë me ndryshimet ligjore lidhet me kompetencat e Kuvendit të Kosovës. “Kufizimi ka të bëjë me të drejtën e Kuvendit të Kosovës. Ky kufizim nuk e zhbën, por e përmirëson një institucion i cili synon të ketë drejtësi”, është shprehur ai. “Vendimi është i plotfuqishëm, Kosova vazhdon rrugëtimin e vet, qëllimet institucionale dhe politike që i ka”, ka thënë Tahiri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
