Ish-deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka vlerësuar rolin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës gjatë protestave dhe zhvillimeve të fundit politike, duke e cilësuar Ramush Haradinajn si figurë me ndikim në mobilizimin e protestuesve. Kastrati ka pretenduar se prania e Haradinajt në shesh ka ndikuar në situatën e krijuar gjatë protestës, duke e përshkruar atë si një qëndrim me autoritetin e një komandanti dhe politikani. “Ky është njeriu që shpëtoi protestën pa u shtypur atë natë, kur regjimi i Kurtit u sul mbi ne me gjithë forcën”, ka shkruar Kastrati. Sipas tij, Haradinaj ka vepruar si “burrështetas”, duke mos bërë, siç pretendon Kastrati, kalkulime partiake, por duke parashtruar kërkesa që i konsideron me interes strategjik për shtetin. Kastrati ka përmendur edhe qëndrimin e AAK-së në Kuvend, duke theksuar se kjo parti votoi për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe qëndroi në sallë gjatë procesit të zgjedhjes së presidentes. Në fund, ish-deputeti i PDK-së ka kritikuar PDK-në dhe LDK-në, duke pretenduar se këto dy parti, kur shohin interes politik, bashkëpunojnë me Albin Kurtin. Kjo është arsyeja pse besoj se vetëm ai mund t’i bëjë opozitë regjimit të Kurtit”, ka shkruar Kastrati, duke iu referuar Haradinajt.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
