Justina Shiroka-Pula nis detyrën si presidente me homazhe në Prekaz, te Rugova dhe Demaçi

Presidentja e re e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e ka nisur detyrën e saj me homazhe në disa prej figurave dhe vendeve më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Në ditët e para të mandatit, Shiroka-Pula ka qëndruar në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe ka bërë homazhe te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi. Në Prekaz, presidentja ka nderuar familjen Jashari dhe komandantin legjendar Adem Jashari, duke e cilësuar këtë vend si simbol të qëndresës dhe sakrificës për atdheun. “Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, ka deklaruar Shiroka-Pula. Më pas, ajo ka nderuar presidentin historik Ibrahim Rugova, për të cilin ka vlerësuar vizionin dhe rolin e tij në një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Homazhe ajo ka bërë edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, duke vlerësuar kontributin e tij për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës. “Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, ka thënë Shiroka-Pula. Presidentja ka theksuar se nderimi i këtyre figurave përbën një rikujtim të themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës. “Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, vizionin dhe qëndresën e brezave”, ka deklaruar Justina Shiroka-Pula.

Kontrolloni gjithashtu

Aida Dërguti: Presioni i protestave ndikoi në votimin e Ligjit për Specialen dhe zgjedhjen e presidentes

Opinionistja politike Aida Dërguti ka deklaruar se protestat e zhvilluara për rreth tri javë kanë …