Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka mirëpritur konkluzionet e Këshillit Evropian për zgjerimin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë proces si një investim strategjik për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit. Në reagimin e saj, MEPJ-ja ka vlerësuar riafirmimin e parimit të meritës, sipas të cilit përparimi i vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE varet nga reformat e ndërmarra dhe rezultatet konkrete të secilit shtet. Ministria thekson se Shqipëria mbetet e angazhuar për vazhdimin e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga negociatat e anëtarësimit, me theks të veçantë në sundimin e ligjit. Sipas MEPJ-së, zgjerimi është tashmë në qendër të agjendës strategjike evropiane, ndërsa perspektiva e anëtarësimeve të reja po bëhet gjithnjë e më konkrete. “Për Shqipërinë, si një nga vendet në pararojë të këtij procesi, përgjigjja duhet të jetë e qartë: të vijojë, pa humbur kohë, me vendosmëri dhe përgjegjësi, reformat dhe negociatat”, thuhet në reagim. Ministria e cilëson anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një shans historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke nënvizuar se ky synim kërkon punë të vazhdueshme, reforma, rezultate konkrete dhe përgjegjshmëri institucionale. “Por anëtarësimi nuk dhurohet. Ai fitohet, vetëm me punë, reforma, rezultate, përgjegjësi dhe përgjegjshmëri”, thekson Ferit Hoxha. Në përfundim, ministria bën thirrje që Shqipëria të shfrytëzojë momentin aktual dhe të mos lejojë që procesi i integrimit evropian të shndërrohet në një tjetër mundësi të humbur, duke e cilësuar anëtarësimin në BE si një nga objektivat më të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
