Sali Onuzi: Shqiptarët si luftëtarë dhe ushtarë

Nga Baroni Félix de Beaujour, Udhëtim Ushtarak në Perandorinë Osmane, ose përshkrim i kufijve të saj dhe mbrojtjeve të saj kryesore, qofshin ato natyrore apo artificiale. vëll. 1 (Paris: Firmin Didot, 1829), fq. 347-349.1829
Diplomati dhe historiani francez, Baron Félix de Beaujour (1765-1836), lindi në Callas të Provancës. Ai studioi në Aix-en-Provence dhe në Paris, hyri në shërbimin diplomatik dhe shërbeu si konsull i përgjithshëm francez në Greqi më 1794, në Uashington gjatë viteve 1804-1811 dhe në Smirnë [Izmir] më 1816. Përshkrimi i tij për Shqipërinë, botuar në veprën me dy vëllime “Voyage militaire dans l’Empire Othoman” (Udhëtim ushtarak nëpër Perandorinë Osmane), Paris 1829, është kryesisht gjeografik dhe i përqendruar në çështje ushtarake; megjithatë, në fragmentin e mëposhtëm, ai flet edhe për popullsinë e vendit.
Shqipëria ndahet në dy pashallëqe të mëdha: atë të Beratit dhe atë të Shkodrës. I pari shtrihet nga lumi Vjosë e deri te lumi Shkumbin. I dyti shtrihet nga Shkumbini e deri në Malin e Zi; por shumica e banorëve që jetojnë në këto pashallëqe – të cilët kanë zakone dhe fe të ndryshme – u binden pashallarëve turq vetëm kur detyrohen ta bëjnë këtë. Këta popuj të ndryshëm kanë gjetur në malet e tyre një strehë kundër shtypjes dhe gëzojnë një lloj pavarësie brenda Turqisë Evropiane, të ngjashme me atë që gëzojnë kurdët dhe turkmenët në Turqinë Aziatike.
Kur turqit pushtuan Azinë e Vogël dhe Greqinë, të gjithë ata njerëz që patën guximin t’u bënin ballë, pas pushtimit u larguan: disa drejt maleve të Kaukazit, e të tjerë drejt maleve të Shqipërisë. Kështu, Shqipëria u bë një strehë për njerëzit më të guximshëm të Turqisë Evropiane, ashtu siç u bë Kaukazi strehë për ata më të guximshmit e Turqisë Aziatike. Këta njerëz sollën në atdheun e tyre të ri zakonet dhe traditat e veta, dhe jetuan të pavarur nga njëri-tjetri. Ata nuk u përzien kurrë; pikërisht kjo është arsyeja pse gjendja e tyre e qytetërimit mbetet ende e paplotë.
Megjithatë, ky lloj qytetërimi, ndonëse pengoi përparimin e tyre në arte, nxiti prirjet e tyre luftarake. Si të tillë, shqiptarët janë sot ushtarët më të mirë në Turqinë evropiane. Ata zotërojnë shkallën më të lartë të forcës, shkathtësisë dhe zjarrtësisë, si dhe të gjitha cilësitë e tjera të nevojshme për luftëtarët. Nëse do të kishin të njëjtin stërvitje dhe disiplinë, ata do të ishin të barabartë, e ndoshta edhe më të mirë se trupat më të zgjedhura evropiane. Por, duke qenë se jetojnë në një vend të prapambetur, ata nuk dinë të bëjnë luftë me mjeshtëri. Ata veprojnë thjesht duke u mbështetur te instinkti dhe janë të zotë vetëm në beteja të përmasave të vogla. Nuk ka shenjëtar më të mirë për të goditur objektivin; nuk ka trupa më të aftë për të zgjedhur një pozicion mbrojtës dhe për ta mbrojtur atë me aq vrull. Këtyre avantazheve u shtohet shpejtësia e sulmeve të tyre ndaj armikut, si dhe aftësia e vazhdueshme për t’i mashtruar kundërshtarët. Kur tërhiqen, ata shpërndahen dhe zënë pritë pas shkëmbinjve apo shkurreve; e kur terreni nuk ofron strehë të përshtatshme, gërmojnë gropa në tokë ku futen e fshihen. Por, kur sulmojnë, ata vërshojnë të gjithë së bashku dhe asnjë trupë tjetër nuk mund t’i bëjë ballë vrullit të tyre.
Ne foto :Një roje turke (d.m.th. shqiptare) në Kajro, vepër e Charles Bargue, 1877 (Muzeu i Arteve të Bukura, Boston).
Shqiptarët nuk e pëlqejnë punën sedentare. Ata e preferojnë profesionin e luftëtarit mbi çdo gjë tjetër. Kur nuk luftojnë mes vete, e bëjnë këtë diku tjetër, duke u vënë në shërbim të pashallarëve në Turqi, ashtu siç zviceranët viheshin në shërbim të princave të Evropës. Këmbësorët paguhen zakonisht një sekinë në muaj, ndërsa kalorësit dy sekina; të dyja palët kanë të drejtë të plaçkitin armikun. Këta ushtarë janë po aq të vlefshëm dhe besnikë sa zviceranët, por nuk dinë t’i nënshtrohen disiplinës po aq mirë. Ata janë një fatkeqësi për qytetet dhe fshatrat. Nëse ju kujtohen bandat e kusarëve, të quajtur “Malandrins”, që shkatërruan Francën në kohën e Karlit V, atëherë do të keni një ide se çfarë lloj njerëzish janë këta ushtarë shqiptarë. Forcat e tyre një ditë do ta pushtojnë Turqinë dhe do ta copëtojnë atë. Ndoshta do të jetë një ushtar shqiptar ai që do ta rrëzojë fronin osman.
Me malet e saj, Shqipëria i ngjan Zvicrës dhe mbrohet shumë më mirë nga natyra sesa nga armët. Duke qenë se mund të sulmohet vetëm nga deti, për ta mbrojtur atë do të duhej të fortifikoheshin pikat kryesore përgjatë bregdetit. Këto janë, veçanërisht, Ulqini, Lezha, Durrësi dhe Apolonia. Dy të parat janë të qasshme nga Manfredonia dhe Bari, ndërsa dy të tjerat nga Brindizi dhe Otranto. Do të duhej të zgjerohej ose të forcohej një vijë mbrojtëse për Shkodrën, e cila ofron qasje në luginat e Moraçës dhe të Drinit. Gjithashtu, do të duhej të riparohej Durrësi, nga ku mund të arrihet në rrafshnaltën e Ohrit përmes Via Egnatia-s, si dhe do të duhej të rindërtohej Apolonia, nga ku mund të përparohet drejt Janinës, duke ndjekur luginat e Vjosës dhe të Drinos. Shqipëria është për Greqinë ajo që Lombardia është për Italinë. Kushdo që dëshiron t’i mbajë këto dy gadishuj, duhet të pushtojë kokën. Kjo është arsyeja pse turqit i kushtojnë një rëndësi kaq të madhe Shqipërisë dhe e kanë konsideruar gjithmonë si një hyrje në Greqi.
[Fragment nga: Baron Félix de Beaujour, Voyage militaire dans l’Empire Othoman, ou description de ses frontières et de ses principales défenses, soit naturelles soit artificielles. vëll. 1 (Paris: Firmin Didot, 1829), fq. 347-349.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dëbimi masiv i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Toplicë dhe në Sanxhakun e Nishit I

Adil Fetahu: SA SHQIPTARË DUHEJ TË SHPËRNGULESHIN SIPAS ÇUBRILLOVIQIT?

Pas Luftës së Parë Botërore, me rastin e themelimit të Mbretërisë Slloveno-Kroato-Serbe (gabimisht përdoret  renditja …