Gjykata speciale në Kosovës në Hagë kanë publikuar hollësi për një vendim që prek kërkesën e Mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për pranimin e një deklarate dëshmitari vetëm si provë me shkrim. Ndërkohë, më 17 nëntor pritet të shpallet aktgjykimi në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve për veprat penale që lidhen me pretendimet për ndikim ndaj dëshmitarëve.
Sipas njoftimit të gjykatës, Trupi Gjykues e kishte refuzuar këtë kërkesë në një vendim të tetorit 2025, versioni i redaktuar publik i të cilit u bë i disponueshëm më 19 tetor 2026. Arsyetimi ishte se deklarata përmbante informacione për sjelljen e drejtpërdrejtë të disa të akuzuarve dhe për besueshmërinë e dëshmitarëve të dëgjuar më parë. Për këtë arsye, gjykata vlerësoi se dëshmitari duhej të ishte i disponueshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të palës kundërshtare, në vend që deklarata e tij të pranohej pa u marrë në pyetje.
Ky zhvillim vjen në prag të shpalljes së një vendimi të rëndësishëm në çështjen që lidhet me pretendimet për ndërhyrje në dëshmitë e Prokurorisë. Sipas aktakuzës, gjatë vizitave jo të privilegjuara në paraburgim, Thaçi dyshohet se u kishte përcjellë Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacione konfidenciale për dëshmitarët që pritej të thirreshin në gjykimin për krime lufte, si dhe se kishte tentuar të ndikonte në dëshmitë e tyre në bashkëpunim me ta.
Aktakuza e parë u dorëzua më 29 nëntor 2024, ndërsa ajo e ndryshuar dhe e konfirmuar më 16 prill 2025. Gjykimi nisi më 27 shkurt 2026, kurse deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 10 deri më 14 shtator të këtij viti. Gjatë procesit, katër dëshmitarë dëshmuan në sallën e gjyqit.
Tre të akuzuarit, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu, u arrestuan në dhjetor 2024 dhe më pas u liruan me kusht, përkatësisht në dhjetor 2025 dhe shkurt 2026. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në paraburgim, ndërsa Hajredin Kuçit fletëthirrja për paraqitjen e parë.
Publiku që dëshiron ta ndjekë seancën nga galeria e gjykatës në Hagë duhet të regjistrohet deri më 27 tetor, në orën 16:00, përmes adresës elektronike [email protected]. Seanca do të transmetohet edhe në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara në shqip, serbisht dhe anglisht.
Më 17 nëntor, vëmendja do të përqendrohet te vendimi i trupit gjykues dhe mënyra se si do të vlerësohen provat e paraqitura gjatë këtij procesi. Deri atëherë, pretendimet e aktakuzës nuk përbëjnë vendim fajësie dhe përgjegjësia penale e të akuzuarve mbetet për t’u përcaktuar nga gjykata.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
