Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, ka reaguar ashpër pas vendimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke deklaruar se është i gatshëm të hyjë sërish në luftë për katërshen që po përballet me procesin gjyqësor. Berisha ka thënë se çështja nuk lidhet vetëm me fatin e ish-krerëve të UÇK-së, por edhe me vetë shtetin e Kosovës, duke e cilësuar situatën si një çështje me rëndësi të veçantë për vendin. “Unë i kam shumë shokë ata, për ata jam në gjendje me hy edhe njëherë në luftë edhe në flakë. Në pyetje është Kosova, o burrë!”, ka deklaruar Berisha. Gjatë prononcimit të tij, ai ka komentuar edhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si, sipas tij, është udhëhequr partia dhe për ndikimin e ambasadave në përzgjedhjen e njerëzve në pozita drejtuese. Berisha ka pretenduar se PDK-ja ka përfunduar në duart e njerëzve që janë favorizuar nga ambasadat, duke përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
