Mbi 15 vjet pas vrasjes së Diana Kastratit, babai i saj, Gëzim Kastrati, ka rrëfyer dështimin e institucioneve për ta mbrojtur vajzën e tij, duke zbuluar se kërkesa e saj për urdhër mbrojtjeje nuk ishte protokolluar në stacionin policor. Kastrati ka treguar për përpjekjet e familjes për të kërkuar ndihmë nga institucionet dhe organizatat përkatëse, por pa arritur të sigurojë mbrojtjen e vajzës së tij. Sipas tij, Diana kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, por autoritetet nuk kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme. Pas vrasjes, familja kishte mësuar se kërkesa e saj nuk ishte regjistruar zyrtarisht në polici. „Është e çuditshme. Nuk e kam pritur që do të ndodhte ajo që më ndodhi mua, por as që kjo gjendje do të vazhdonte kështu“, ka deklaruar Kastrati. Ai ka treguar se për rreth gjashtë muaj familja kishte kërkuar ndihmë në institucione të ndryshme, përfshirë gjykatën dhe Qendrën për Punë Sociale, por përpjekjet e tyre nuk kishin sjellë rezultat. „Ne nuk kemi arritur ta shpëtojmë një jetë, jetën e fëmijës tonë, një jetë nëne, e cila ka lënë pas një fëmijë, për shkak të neglizhencës totale të institucioneve, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale, gjykata dhe prokuroritë“, ka thënë ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
