Komiteti për Komunitete në Komunën e Vitisë mbajti mbledhjen e nëntë të rregullt, në të cilën u diskutuan çështje me rëndësi për sigurinë në komunikacion dhe funksionimin e këtij komiteti.
Gjatë mbledhjes, anëtarët shqyrtuan dhe miratuan procesverbalin nga mbledhja e tetë e Komitetit për Komunitete.
Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte sinjalistika rrugore në Komunën e Vitisë, me theks të veçantë në hapësirat pranë shkollave, ku u trajtua rëndësia e masave për rritjen e sigurisë së nxënësve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Po ashtu, anëtarët diskutuan edhe për çështjen e mospagesës së mëditjeve për anëtarët e Komitetit për Komunitete që nuk janë këshilltarë të Kuvendit Komunal, duke trajtuar këtë çështje në kuadër të funksionimit dhe pjesëmarrjes në punën e komitetit.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, u trajtuan edhe çështje të tjera me interes për punën e këtij organi komunal.