Mekanizmi Koordinues Komunal për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore ka mbajtur takim urgjent në Ferizaj, në përgjigje të rasteve të rënda të dhunës në nivel vendi, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional për trajtimin dhe parandalimin e këtyre rasteve.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua shqyrtimit të një rasti konkret nga këndvështrimi multidisiplinar, me fokus në analizimin e rrethanave, vlerësimin e nevojave për mbrojtje dhe siguri, si dhe koordinimin e veprimeve të mëtejshme ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Gjykatës, Prokurorisë, Policisë së Kosovës, Qendrës për Punë Sociale, Mbrojtësve të Viktimave, Strehimores, Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e reagimit të shpejtë institucional, vlerësimit të kujdesshëm të rrezikut, shkëmbimit të përgjegjshëm të informacionit dhe përcaktimit të qartë të përgjegjësive të secilit institucion, duke vendosur në qendër sigurinë, dinjitetin dhe mbrojtjen e viktimave.
Rastet e rënda të dhunës në vend dëshmojnë se trajtimi dhe parandalimi i saj kërkojnë angazhim të përbashkët dhe nuk mund të mbeten përgjegjësi vetëm e një institucioni. Bashkëpunimi i vazhdueshëm, komunikimi efektiv dhe ndërmarrja e veprimeve konkrete në kohë janë thelbësore për të siguruar mbrojtje efektive dhe për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Mekanizmi Koordinues Komunal në Ferizaj mbetet i përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, identifikimin e sfidave në trajtimin e rasteve dhe ndërmarrjen e masave konkrete që kontribuojnë në mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e rasteve të rënda të dhunës.