PARALAJMËRIM I NJË KTHESE TË MADHE HISTORIKE
———————————————————————–
“UÇK-ja ishte zëri i lirisë së një populli, mburoja e dinjitetit të tij dhe dëshmia historike se robëria nuk mund të jetë fati i përjetshëm i një kombi.”
Nga qëndresa guerile te përballja frontale – nga Klysyrja e Rezallës së Re te dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të KosovësNëntori i vitit 1997 shënoi një nga kthesat më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës. Pas një periudhe të gjatë të rezistencës politike paqësore, e cila nuk arriti ta ndalte dhunën dhe shtypjen e pushtetit serb, nga gjiri i popullit po ngrihej një alternativë tjetër e çlirimit: Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
UÇK-ja tashmë ishte bërë emër i çmuar, i nderuar dhe i respektuar në ndërgjegjen kombëtare. Ajo ishte shndërruar në simbol të qëndresës, në shpresë të lirisë dhe në zërin e një populli që nuk pajtohej më me robërinë. Jehona e aksioneve të saj guerile kishte kaluar kufijtë e Kosovës, duke zgjuar interesimin e opinionit shqiptar dhe të kancelarive ndërkombëtare. Të gjithë dëshironin të dinin se kush qëndronte pas kësaj force që po sfidonte aparatin represiv të Serbisë.
Pas dekadash të përpjekjeve politike, demonstratave, burgosjeve dhe sakrificave, populli shqiptar nxori nga gjiri i vet bijtë më të vendosur, të cilët morën përsipër barrën e rëndë të luftës për çlirim. Ata ngjeshën armët për mbrojtjen e atdheut, të dinjitetit dhe të së drejtës për liri.
Pas vitit 1997, lëvizjet e forcave policore dhe ushtarake serbe në Drenicë ishin shtuar. Por, njëkohësisht, po shtohej edhe prania dhe veprimtaria e UÇK-së. Forcat pushtuese po përballeshin me një realitet të ri: në tokën e Kosovës nuk kishin më përballë vetëm një popullatë të pambrojtur, por edhe luftëtarë të organizuar, të vendosur për të mos u tërhequr para dhunës.
25 NËNTOR 1997 – QËNDRESA E LUFTËTARËVE NË VOJNIK
Më 25 nëntor 1997, forcat policore serbe u drejtuan për në Vojnik të Skënderajt, me synimin për të arrestuar luftëtarin e UÇK-së, Abedin Sokol Rexhën – Sandokanin. Aty u përballën me rezistencën e armatosur të Abedin Rexhës, vëllezërve të tij, Afrimit e Brahimit, dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë.
Përballja në lagjen e Binakëve në Vojnik shënoi një moment të rëndësishëm të qëndresës së armatosur. Forcat serbe u detyruan të tërhiqeshin, duke pësuar humbje në njerëz. Kjo ngjarje ishte një paralajmërim i qartë se Drenica po hynte në një fazë të re të rezistencës.
Për pushtetin serb, zhvillimet në këtë rajon përbënin një sfidë gjithnjë e më serioze. Prandaj, të nesërmen, ai organizoi një ekspeditë të re ndëshkimore, me forca dhe mjete të shumta të motorizuara, duke synuar depërtimin në Vojnik dhe shuarjen e qëndresës.Por, kësaj radhe, luftëtarët e lirisë ishin të përgatitur për një përballje edhe më të madhe.
26 NËNTOR 1997 – BETEJA E KLYSYRËS NË REZALLË TË RE
Më 26 nëntor 1997, në vendin e quajtur Klysyrë, ndërmjet Llaushës dhe Rezallës së Re, u zhvillua një nga përballjet më domethënëse të fazës së parë të luftës së UÇK-së.Në ballë të luftëtarëve të lirisë ishte komandanti Adem Jashari, i cili, së bashku me Abedin Rexhën, Mujë Krasniqin, Ilaz Kodrën, Nuhi Gecin dhe luftëtarë të tjerë, organizoi qëndresën kundër forcave serbe.
Sipas të dhënave historike të kësaj beteje, luftëtarët e UÇK-së kishin organizuar pozicionet në të dy anët e rrugës, duke shfrytëzuar terrenin dhe elementin e befasisë. Konvoji i forcave serbe u godit fuqishëm nga zjarri i luftëtarëve të lirisë. Përballja zgjati disa orë dhe forcat serbe pësuan humbje në njerëz dhe në teknikë luftarake, duke u detyruar të tërhiqeshin.
As ndihma nga ajri nuk arriti ta ndryshonte rrjedhën e përballjes. Prania e helikopterit ushtarak mbi vendbetejë dëshmonte për shkallën e mobilizimit të forcave serbe dhe rëndësinë që ato i kushtonin kësaj ekspedite.
Atë ditë, Klysyrja u bë më shumë se një vendbetejë. U bë dëshmi e vendosmërisë së luftëtarëve të UÇK-së për të mbrojtur tokën e tyre. Pushka e lirisë dha një mesazh të fuqishëm: Kosova nuk ishte pa zot, Drenica nuk ishte e nënshtruar dhe populli shqiptar nuk kishte hequr dorë nga liria.
Beteja e Klysyrës dëshmoi se UÇK-ja po kalonte nga aksionet e kufizuara guerile në organizimin e përballjeve të drejtpërdrejta me forcat e armatosura të pushtuesit. Ajo shfaqi vendosmëri, organizim dhe aftësi për të përballuar një makineri shumë më të fuqishme ushtarake.
HAKMARRJA SERBE – PUSHKA QË SYNONTE EDHE SHKOLLËN
Në tërheqje nga vendbeteja, forcat serbe, të goditura nga rezistenca e luftëtarëve të UÇK-së, hapën zjarr edhe kundër objekteve dhe popullatës civile. Në Llaushë, plumbat e tyre goditën shkollën, duke marrë jetën e mësuesit Halit Geci, i cili u bë një nga martirët e kësaj periudhe të rëndësishme historike.
Kjo vrasje ishte një goditje e rëndë për familjen, nxënësit, kolegët dhe gjithë komunitetin arsimor. Ishte edhe një dëshmi tjetër e dhunës që pushteti serb ushtronte mbi popullatën shqiptare.
Por, kush mund ta vriste fjalën shqipe? Kush mund ta shuhej dritën e dijes me plumba? Mund të vriteshin mësuesit, mund të goditeshin shkollat, mund të digjeshin librat, por nuk mund të zhdukej kujtesa dhe as dëshira e një populli për të jetuar i lirë.
Halit Geci ra në një kohë kur Kosova po përgatitej të dëshmonte para botës se rezistenca e saj kishte marrë një dimension të ri.
28 NËNTOR 1997 – DITA KUR UÇK-ja DOLI PUBLIKISHT PARA POPULLIT
Varrimi i mësuesit Halit Geci, më 28 nëntor 1997, në Llaushë të Skënderajt, u shndërrua në një ngjarje historike. Në këtë ceremoni morën pjesë mijëra qytetarë nga Drenica dhe mbarë Kosova, të cilët kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën mësuesit dhe për të shprehur revoltën kundër dhunës serbe.Por, ajo ditë do të mbetej në histori edhe për një arsye tjetër madhore.
Me urdhër të Adem Jasharit, në mesin e pjesëmarrësve u paraqitën publikisht tre pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj. Të uniformuar dhe të armatosur, ata dolën nga mali para popullit, duke e bërë të njohur publikisht ekzistencën dhe misionin e UÇK-së.Fillimisht, prania e tyre shkaktoi habi dhe emocion te të pranishmit. Por, shumë shpejt, ajo habi u shndërrua në brohoritje të fuqishme:
UÇK! UÇK! UÇK!
Ishte një çast që kapërceu kufijtë e një ceremonie mortore. Për herë të parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po paraqitej hapur para popullit, duke dëshmuar se lufta për liri kishte marrë një formë të organizuar dhe se kjo ushtri buronte nga vetë gjiri i popullit.
Në emër të UÇK-së, Rexhep Selimi iu drejtua të pranishmëve me fjalë ngushëllimi dhe me një mesazh që shprehte dhimbjen e përbashkët të popullit shqiptar, të përballur me shtypjen dhe dhunën shumëvjeçare të pushtuesit serb.
Kështu, 28 Nëntori i vitit 1997 u bë dita e daljes së parë publike të UÇK-së, një ngjarje që do të shënonte fillimin e një kapitulli të ri në historinë e Kosovës.Nuk ishte rastësi që kjo datë u përzgjodh për këtë paraqitje. 28 Nëntori mbartte simbolikën e Skënderbeut, të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të bashkimit të kujtesës sonë kombëtare. Në këtë datë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e lidhi luftën e saj me vazhdimësinë historike të përpjekjeve shqiptare për liri.
NGA KJO BETEJLË NË EPOKËN E LAVDISË
Beteja e Vojnikut dhe ajo e Klysyrës në Rezallë të Re, të pasuara nga dalja publike e UÇK-së në Llaushë, përbëjnë një varg ngjarjesh që shënuan kthesën e madhe të nëntorit 1997.Këto ngjarje janë paralajmërim i një kthese të madhe.
Ato dëshmuan se UÇK-ja nuk ishte një emër i përkohshëm dhe as një organizim pa mbështetje popullore. Ajo po shndërrohej në një forcë çlirimtare që po fitonte përkrahjen e gjerë të popullit dhe po krijonte bazat e një mobilizimi gjithnjë e më të madh.
Pas këtyre ngjarjeve, rezistenca e armatosur do të merrte përmasa të reja. Likoshani dhe Qirezi, më 28 shkurt dhe 1 mars 1998, do të dëshmonin se dhuna serbe po përshkallëzohej, por edhe se qëndresa shqiptare po zgjerohej. Në këtë rrugëtim, sakrifica e familjes Jashari në mars të vitit 1998 do të shënonte kulmin e një epoke të qëndresës dhe do të bëhej simbol i përmasave historike të luftës çlirimtare.
Nga Klysyrja te Prekazi, nga Llausha te Likoshani e Qirezi, nisi epokë e re…Nisi shembja e robërisë dhe po shkruhej historia e një populli që kishte vendosur të mos jetonte më në robëri.
NJË NËNTOR QË NUK DUHET TË HARROHET
Nëntori është muaj i kujtesës, i historisë dhe i krenarisë kombëtare. Në kalendarin tonë historik, ai bart ngjarje që lidhen me Skënderbeun, Kongresin e Manastirit, Pavarësinë e Shqipërisë dhe shumë momente të tjera të rëndësishme të identitetit kombëtar.
Në këtë varg ngjarjesh, nëntori i vitit 1997 zë një vend të veçantë. Ai na kujton qëndresën në Vojnik, betejën e Klysyrës në Rezallë të Re, rënien e mësuesit Halit Geci dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këto ngjarje nuk janë vetëm kujtime të së kaluarës. Ato janë pjesë e ndërgjegjes sonë historike dhe e përgjegjësisë për ta ruajtur të vërtetën, për t’i nderuar dëshmorët, martirët dhe të gjithë ata që u vunë në shërbim të lirisë.
KUJTESA E LUFTËS DHE SFIDA E DREJTËSISË
Sot, pas 29 vjetësh, historia e luftës së UÇK-së vazhdon të jetë objekt i debateve, interpretimeve dhe proceseve gjyqësore ndërkombëtare. Gjykimi i ish-krerëve të saj në Hagë ka hapur një kapitull të ndjeshëm në ndërgjegjen publike të Kosovës.
Drejtësia duhet të jetë e paanshme, e bazuar në prova dhe në përgjegjësi individuale. Ajo nuk duhet të shndërrohet në instrument për njollosjen e një populli, as të përdoret për të relativizuar të drejtën e tij për liri. Përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund t’i atribuohet një populli të tërë, një lufte çlirimtare apo një aspirate kombëtare.
UÇK-ja duhet të trajtohet në tërë kompleksitetin e saj historik: në kontekstin e shtypjes, të rezistencës, të sakrificës dhe të luftës për çlirim. Historia nuk mund të shkruhet duke shkëputur një ngjarje nga rrethanat që e prodhuan atë.
Liria e Kosovës nuk ishte dhuratë. Ajo u fitua me sakrificë, me gjak, me qëndresë dhe me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë. Prandaj, asnjë proces gjyqësor nuk duhet ta zëvendësojë të vërtetën historike dhe as ta fshijë kujtesën e një populli.
EPILOG – PUSHKA , QË VAZHDON TË JEHOJË…
Më 25 dhe 26 nëntor 1997, në Vojnik dhe në Klysyrë të Rezallës së Re, nuk u zhvilluan vetëm përballje të armatosura. Aty u dëshmua se një popull i tërë po hynte në një fazë të re të historisë së vet.Më 28 nëntor 1997, në Llaushë, UÇK-ja doli publikisht para popullit dhe e bëri të njohur misionin e saj çlirimtar.
Prandaj, 29 vjet më pas, kujtesa jonë kthehet te ato ditë, te Adem Jashari, Abedin Rexha, Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra, Nuhi Geci, te luftëtarët e orëve të para, te mësuesi Halit Geci dhe te të gjithë ata që u vunë në ballë të kësaj kthese historike.
Klysyrja nuk ishte vetëm një vend në hartën e Drenicës. Ishte një paralajmërim se po afrohej koha e çlirimit. Llausha nuk ishte vetëm vendi i një ceremonie mortore. Ishte vendi ku UÇK-ja doli para popullit dhe ku historia mori një drejtim të ri.Sepse popujt mund të përballen me robërinë, mund të kalojnë nëpër furtuna dhe të paguajnë çmime të rënda për lirinë, por nuk mund t’u merret e drejta për ta shkruar historinë e tyre.
Lavdi luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së!
Nderim për dëshmorët, martirët dhe të gjithë të rënët për liri!
Respekt për mësuesin Halit Geci dhe për të gjithë ata që ranë duke mbrojtur dinjitetin e këtij populli!
Drenicë, më 25 nëntor 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
