Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për protestën e tij në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës ka ngritur çështjen e vrasjeve të pasluftës dhe nevojën për zbardhjen e këtyre rasteve. Haradinaj ka kujtuar se pas përfundimit të luftës dhe largimit të forcave serbe nga Kosova, ndonëse në vend ishin të pranishme forcat ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in dhe UNMIK-un, vazhduan vrasjet e shqiptarëve. Ai ka theksuar se këto krime nuk duhet të trajtohen mbi bazën e përkatësisë politike apo të ndarjeve ndërmjet individëve dhe grupeve që vepronin në atë kohë, pasi viktimat, sipas tij, ishin shqiptarë të pafajshëm, ndërsa shumë prej vrasjeve kanë mbetur ende të pazbardhura. “Me mbylljen e luftës dhe largimin e forcave serbe nga Kosova filloi dinamika e jetës. Na u vranë shumë njerëz, shqiptarë të zotë. Janë dy momente që debatin e sotëm e bëjnë të dhimbshëm. E para, ndarja: disa i quajmë të LDK-së, disa të UÇK-së e disa të dikujt tjetër. Në fakt, u vranë shqiptarë të pafajshëm, të rinj e të pabesë, dhe shumë prej atyre vrasjeve nuk u zbardhën”, ka deklaruar Haradinaj. Duke folur për pasojat personale dhe familjare të kësaj periudhe, ai ka treguar se dhimbja e humbjeve nuk lidhet vetëm me bashkëluftëtarët dhe kolegët e njësive të tij, por edhe me vrasjen e vëllait, Enver Haradinaj. “Unë jo vetëm që kam humbur shumë bashkëluftëtarë e kolegë të njësive, por e kam humbur edhe vëllain tim, Enverin, në këto vrasje e pabesi pas shpine”, ka thënë ai. “E kemi kuptuar se qëllimi i Serbisë ka qenë të largohet prej Kosovës, përmes njerëzve tanë, me nxitjen e vëllavrasjes dhe moslejimin e konsolidimit të Kosovës si shtet civil e shtetëror. Duke e ditur këtë qëllim të tyre, nuk jemi aty që të shtihemi mes vete.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
