Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar mundësitë ekonomike dhe sektorët me potencial për investime në Shqipëri, gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, ku para përfaqësuesve dhe investitorëve evropianë ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në zinxhirët e zhvillimit të Bashkimit Evropian. Rama ka veçuar sektorin e energjisë së ripërtëritshme, infrastrukturën dhe teknologjinë digjitale si fusha me mundësi të mëdha investimi, duke vënë në pah potencialin natyror të Shqipërisë për prodhimin e energjisë nga dielli, era dhe uji. Gjatë fjalimit, ai është ndalur edhe te mbështetja që Shqipëria pritet të përfitojë përmes Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, duke e lidhur këtë mbështetje me progresin ekonomik dhe institucional të vendit. “Kemi diellin, erën e ujin për të prodhuar shumë më tepër. Këtë vit progresi ynë u pranua në çdo front, me institucione më të forta dhe një horizont më solid për të ardhmen e Shqipërisë”, ka deklaruar Rama. “Europa është në një moment vendimtar. Implementimi i burimeve tona në zinxhirin e Europës është një lëvizje që Europa duhet ta bëjë edhe për të mirën e saj. Nuk mund ta lësh jashtë Ballkanin Perëndimor dhe kjo është e ditur”, ka deklaruar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
