Dita e zezë e 7 prillit 1939 do të mbahet mend si dita e pushtimit fashist, si dita e luftës dhe e rezistencës së popullit tonë me Mujo Ulqinakun në krye.
Njëqind mijë ushtarë e oficerë italianë këmishëzinj u vendosën në Shqipëri. Më 12 prill 1939, ditën kur u shpall “Bashkimi” i Shqipërisë me Italinë, Konti Çiano (ministër i jashtëm i Italisë Fashiste) shkruan në ditarin e tij të fshehtë, f.155: “Shqipëri të pavarur s’ka më”.
Plumbat e Vasil Laçit në drejtim të Mbretit “Emanueli i Tretë” paralajmëruan urrejtjen e madhe të popullit tonë kundër pushtuesit dhe vendosmërinë për t’i shporrur ata sa më parë…
Nën udhëheqjen e PKSH popullit shqiptar u ngrit në luftë masivisht kundër pushtuesit fashist dhe iu bashkua Koalicionit të Madh Antifashist Botëror.
Bazat më të rëndësishme të Luftës Antifashiste NAÇL u bënë: Peza, Skrapari, Kurveleshi, Vlora, Mallakastra, Malësia e Gjakovës, Gora, Opari, Devolli, Zona Vithkuq-Panarit, Mesapliku, Lumxhëria, Zagoria, Dajti, Postriba, Reçi i Shkodrës, zonat e Zerqanit e të Sllatinës, Myzeqeja, Kolonja, Çermenika, Zona e Klosit (Mat), Martaneshi.
Pushtuesi filloi të organizonte operacione të gjëra ndëshkimi për asgjësimin e këtyre bazave. U shtua terrori në qytete.
Më 5 maj bie heroikisht Qemal Stafa, i rrethuar në bazën e tij ilegale nga qindra karabinierë fashistë. Fashistët e hodhën trupin e Qemalit në një karrocë, pastaj e shëtitën nëpër rrugët e qytetit në mënyrë demonstrative për të frikësuar kryeqytetasit. Por nuk ia arritën qëllimit. Lufta u ndez më shumë… Faqe të lavdishme heroizmi shkruan Heronjtë e Shkodrës: Perlat Rexhepi, Branko Kadia, Jordan Misja, më 22 qershor, Heronjtë e Kodrës së Kuqe: Vojo Kushi, i cili i vuri gjoksin tankut armik, Sadik Stavaleci, Xhorshi Martini, më 7 tetor 1942.
Lufta partizane u rrit e u forcua dita-ditës. Luftëtarët e Skraparit e çliruan Çorovodën, më 5 shtator 1942. Pushtuesi ndërmori një operacion të rrufeshëm e të madh për ta ripushtuar Çorovodën, të cilën e ndoqi vetë Kryeministri kuisling Mustafa Kruja. Nisur nga zgjerimi dhe përhapja e luftës partizane, për të qenë më efektiv në përballimin e kësaj situate shpërthyese në rritje, pushtuesi italian krijoi në shtator 1942 një organizëm të posaçëm për zhvillimin e operacioneve ndëshkimore kundër çetave partizane dhe popullsisë në zonat e çliruara, me Komandant të Përgjithshëm Gjeneralin italian L. Xanini, i cili hartoi një plan për operacione në krahina të Shqipërisë së Jugut, të Mesme e të Veriut. Ky plan u miratua nga Jakomani, i cili e siguronte Musolinin se pas këtyre operacioneve “do të mundet të vendoset qetësia dhe rendi në Shqipëri”.
Udhëri nr.1 i operacionit, i firmosur, më 26 shtator 1942 kishte objektiv Pezën. Ky operacion filloi, më 28 shtator. Morën pjesë 6 batalione të milicisë fashiste, të karabinerisë dhe të rojes së financave, të mbështetura nga artileria e fuqishme dhe aviacioni. Një dokument armik e cilësonte me këto fjalë terrorin fashist: “Një kasaphanë burrash, grash të reja të vramë pa mëshirë, fëmijësh të vegjël, më i vogli në moshën 2 vjeç, grabitje të hollash, djegie shtëpisht, marrje bagëtish të trasha e të imëta që paraqesin shuma kolosale”; (AQSH, Letër e Kryetarit të Komunës drejtuar MPB, 3 tetor 1942). Po sipas një dokumenti tjetër “Në Pezën e Madhe nuk ka aktualisht asnjë shtëpi në këmbë” (Dokumenti mban datën 5 tetor 1942). Pezakët me Babë Myslimin në krye nuk u mposhtën. Forca të mëdha pushtuese sulmuan, më 5 tetor 1942 edhe Martaneshin, në nëntor-dhjetor Korçën, Beratin, Vlorën, Gjirokastrën. Operacione të njëpasnjëshme në të gjithë Shqipërinë, sepse të pandërprera e të fuqishme ishin sulmet e partizanëve kundër pushtuesit. Përfaqësuesit e fshatrave të Vlorës deklaronin “Asnjë ujdi s’mund të ketë midis djemve ose neve dhe qeverisë, gjersa në tokën shqiptare të shkelë akoma këmba e armikut, gjersa në punët tona të futë hundët i huaji”. (Zëri i Popullit, nr. 8-9 nëntor 1942, f.11). Natën e 18-19 tetorit 1942 heronjtë Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Bajram Tusha, Hiqmet Buzi shkruan epopenë e lavdishme.
Edhe viti 1943 vazhdon me operacione ushtarake ndëshkuese të pushtuesve përsëri në Pezë, në zonën Shpirag – Mallakastër – Tepelenë, çka tregonte se veprimet luftarake të armikut, të ndërmarra më parë nuk kishin patur sukses. Në mars 1943 pas aksionit të suksesshëm të forcave partizane të Malësisë së Gjakovës e të Kosovës në Shumri, ku u dogjën 2 kamione, u vranë 21 ushtarë, 2 oficerë, 1 nënoficer, u plagosën 12 ushtarë italianë e u zunë 7 të tjerë rob, pushtuesi dogji shtëpi në Gash, arrestoi disa fshatarë në Shumri e Helshan, të cilët ndihmuan partizanët. Terrori vazhdoi në prill edhe në Gjakovë.
Në korrik 1943 ushtria italiane kishte 130 mijë veta. Në shërbim të tyre ishin edhe 12 mijë forca tradhtare shqiptare. Masakrat e pushtuesit të rinj gjermanë janë të paimagjinueshme. Më 6 korrik në fshatin Borovë pushkatuan 107 veta, ndër të cilët 64 ka gra e shumë fëmijë, në Barmash 8 veta. Të dy këta fshatra bashkë me Leskovikun (qendër) e fshatrave Kamnik, Sanjellasi, Gozhdarazhedin, Radimisht, Shalësi, Gërmenji, Podë, Hoseckë, Radanjin, Vrapskën u dogjën e u bënë shkrumb e hi.
Gjermanët u detyruan të kthenin në Shqipëri Divizionin I Alpin një nga më të mirët, që ishte nisur për Austri (AIH, A-VIII-396, f.33). Në Operacionin e Dimrit e të Pranverës ai dështoi me turp në Berat, Mallakastër, Kolonjë, në zonën Berat-Korçë, në Lunxhëri, Pogon, Zagori, Përmet, Kurvelesh, Salari, Shëngjergj, Dibër, Çermenikë, Mat, Malësi e Gjakovës. Në Luginën e Shushicës, ku u vranë 200 ushtarë e oficerë gjermanë ranë 17 dëshmorë nga forcat partizane.
Korparmata 21 Malore gjermane ndërmori një operacion ndëshkimi kundër forcave partizane në Degë të Tropojës, më 14 shkurt me objektiv ushtarak “Zhdukjen e forcave partizane në këtë rajon, të cilat pengonin lidhjen e rrugës Shkodër-Prizren dhe minierat e kromit në krahinën e Bytyçit”, kurse nga pikëpamja politike ishte “Zhdukja e veprimtarisë propagandistike kundër gjermanëve në zonën e Shqipërisë së Veriut” (AQ i PSH, fondi 14, T 314-662, Nr.140/44, sekret 12.1.1944). Në luftime ra heroikisht Heroi i Popullit Fari Ramadani.
Aksionet e forcave partizane të batalionit “Bajram Curri” me komandant Shaban Haxhinë në Bytyç – ishin shkaku i operacioneve ndëshkuese në këtë zonë në verën e vitit 1944 nga pushtuesit gjermanë. Dy herë u dogj Bytyçi, në qershor e në gusht, 35 veta u vranë. Në Stobërd pushtuesi pushkatoi gjithë familjen e Binak Metës, në Zogaj dogji të gjithë pjesëtarët e familjes së Musli Mehmetit. 13 plumba mori foshnja 3 javëshe në Stobërt. Por as gjylet e topave, as bajonetat e pushkëve, as shtëpitë e djegura e të bëra shkrumb e hi, as pushkatimet, varjet e internimet në masë nuk e fashitën qendresën e bytyçasve. Ata i bënte të fortë e të pathyeshëm dashuria për liri, dashuria për tokën e tyre të shtrenjtë, që në shekuj e kishin mbrojtur me gjak. Kënga e popullit e ka fiksuar bukur këtë moment epik:
“Gjithçka n’tokë u dogj e u poq,
Porse pushka dore s’u hoq”.
Në ndihmë të pushtuesit italian e gjerman ishin forcat e Ballit e të Legalitetit. Balli vrau me të pabesë pas shpine në qershor 1943 Ramiz Aranitasin, komisar politik të njërës prej çetave të Skraparit. Më 21 gusht 1944 forcat e drejtuara nga Kapedani i Mirditës Gjon Marka Gjoni rrethuan dhe vranë në Vig heronjtë Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ndoc Deda, Ahmet Haxhia, Hydajet Lezha. Përballë 200 mercenarëve të shitur ata luftuan dhe vdiqën heroikisht.
Në Dibër forcat e Muharrem Bajraktarit vranë Heroin e Popullit Hajdar Dushi. Në Operacionin e Dimrit (shkurt 1944) në Malësinë e Gjakovës ishin 800 mercenarë të Xhafer Devës, bashkë me gjermanët, në Operacionin e Qershorit 1944 në Bytyç në përbërje të 1000 ushtarëve gjermanë ishin edhe 350 xhandarë, të komanduar nga Pashuk Bibë Mirakaj. Në relacionet e përfaqësuesve të misioneve angleze thuhet: “Në Jug Balli Kombëtar është kthyer në milici qeveritare… atyre u ka dalë kaq tepër nami si kolaboracionistë… Shumë kontakte të Kupit kanë provuar se si bashkëpunon me qeverinë kuislinge… Partizanët vazhdojnë si më parë të jenë e vetmja forcë që lufton kundër gjermanëve”. (AIH, A-V-144, Operacionet në Shqipëri dhe aktiviteti i misioneve britanike pranë Abaz Kupit, f. 4,6).
Pinjollët e Ballit Kombëtar e të Legalitetit po bëjnë përpjekje maksimale që tradhtinë e Ballit e të Legalitetit ta shesin si vlerë kombëtare, duke sajuar aksione “të paqëna” të tyre kundër pushtuesit, duke e quajtur luftën e partizanëve kundër tyre si bashkëpunëtorë me pushtuesin, si luftë civile, duke i paraqitur ata, ballistët e zogistët si luftëtarë të mëdhenj për çështjen kombëtare e bashkimin e trojeve shqiptare, duke ulur numrin e dëshmorëve të vërtetë të LANÇ e duke shtuar numrin e dëshmorëve të Ballit e të Legalitetit e të forcave të tjera nacionaliste. Uran Butka në një shkrim të tij për Lëvizjen “Kryeziu” shkruan se për çlirimin e Gjakovës në shtator 1944 janë vrarë 170 luftëtarë nga forcat e Gani Beg Kryeziut, kur gjithë çeta e tij ishte 40 veta. E nuk përmend asnjë emër nga këta, sepse nuk ka. Ne iu kujtojmë pinjollëve të këtyre organizatave tradhëtare fjalët e At Shtjefën Gjeçovit “Ruajuni mallkimit të historisë. Po iu mallkoi historia vula e turpit të mbetet për mot e jetë”. Masakrat dhe terrori fashist e kanë burimin në vetë psikologjinë e ideologjisë së saj. “1 ditë terror – 10 vjet qetësi”. Lufta heroike e shqiptarëve ua kalli tmerrin. U përpoqën ta shtypin me hekur e zjarr, por dështuan. Vërlacët, Merlikët, Devët, Kupët bashkë me pushtuesit nuk i trembën shqiptarët, nuk i thyen e nuk i ndaluan në rrugën e lirisë e të pavarësisë. Borova, 4 shkurti, Bytyçi i djegur dy herë, Peza janë pikat kulmore të sadizmit nazisto-fashist.
Historia jonë ka të drejtë të krenohet me LANÇ, si epopeja më e lavdishme. Në faqet e saj lavdia dhe nderi janë shkruar me flakët e pushkës për liri, pavarësi e demokraci, është shkruar me gjakun e kuq të bijve të saj.
Djepi me 13 plumba që e përshkuan trupin e njomë të vajzës 3 javëshe në Bytyç, që ruhet në Muzeun Kombëtar, është më tepër se një relike muzeale. Është simboli që e djeshmja i flet të sotmes e të ardhmes. Kështu asgjë nuk harrohet…
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
