Ramush Haradinaj

Haradinaj: Vetëvendosja dhe LDK-ja po bëjnë gabim që po e bllokojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po bëjnë gabim që po e bllokojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë i emëruar për kryeministër të Kosovës nga koalicioni: PDK-AAK-NISMA,  Ramush Haradinaj. Ai është shprehur i bindur se i ka votat për të formuar Qeverinë. “Për qeverinë e dimë që i kemi votat”, ka thënë Haradinaj dhe ka shtuar se ndoshta bllokimi po bëhet për kryeparlamentarin. Në lidhje me deklaratat e Vetëvendosjes dhe LDK-së për të mos e votuar Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, ai ka shtuar se ky bllokim është lojë e pastër për pushtet, nuk ka të bëjë asgjë me emra. Ai deklaroi se kanë pasur një konfirmim për 61 vota për kryeparlamentar, por që nuk e kanë trajtuar në masën e mjaftueshme, sepse nuk ishte për Qeveri. “Pra me kushtetutën tonë s’ka alternativë tjetër, e drejta për të propozuar kryeparlamentarin është vetëm e PAN-it dhe mendoj se VV e LDK kanë hyrë gabim në këtë krizë. Është e kuptueshme që për qeverinë të reagojnë kështu, por jo edhe për kryeparlamentarin”, tha ai. Sipas tij, sado që e vonojnë PAN-in, prapë do të humbin kohë, sepse vetëm koalicioni ynë mund të propozojë kryeparlamentarin.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata e Posaçme e Apelit sërish ka refuzuar kërkesën e Sali Berishës për lirim nga masa “Arrest në shtëpi”

Gjykata e Posaçme e Apelit e ka rrëzuar kërkesën e ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha …