Ministri Gashi: OSBE-ja partner i rëndësishëm i MKRS-së

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka takuar shefin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu me të cilin ka biseduar lidhur me bashkëpunimin ndërmjet MKRS-së dhe OSBE-së në fushat që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe trashëgiminë kulturore. Fillimisht ministri Kujtim Gashi falënderoi shefin e OSBE-së Jan Braathu për vizitën e tij dhe i premtoi atij bashkëpunim. Ministri Gashi theksoi se bashkëpunimi me OSBE-në është tejet i rëndësishëm, sidomos në çështje që lidhen me programin e MKRS-së për rini, duke potencuar si të domosdoshëm programin për punë praktike të të rinjve, si dhe përkushtimin e përbashkët për të vazhduar me aplikimin e programeve në luftën kundër ekstremizmit. Gjithashtu ministri Gashi kërkoi nga ana e misionit të OSBE-së në Kosovë që të vazhdojë ta mbështesë MKRS-në në avancimin e legjislacionit në fushën e rinisë. Ndërsa shefi i OSBE-së, Braathu e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe u shpreh se OSBE-ja është në Kosovë që të punojë me Institucionet e saj për të gjetur zgjidhje praktike për çështjet e dialogut. Ai më tej u shpreh se OSBE-ja është e përkushtuar që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me MKRS-në, veçmas në çështje që lidhen rininë, kulturën, trashëgiminë kulturore dhe dialogun me komunitetin serb.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Smajl Latifi vizitoi QKMF “DR. Fahredin Hoti”

Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Fahredin Hoti”, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë …