Brickos

Ahmet Qeriqi: Qortimi i nënës drejtuar të birit në dy këngë të trimërisë “Sylë Rezalla” dhe “Shtatë shaljanët”

Qortimi i nënës drejtuar birit apo bijës është dukuri e pranishme në traditën tonë morale patriarkale, e shprehur shpesh edhe në traditën e pasur folklorike.


Nëna shqiptare, është përballur jo vetëm me vështirësitë e saj si femër dhe edukatore, por edhe me kanunin e egër, i cili në të kaluarën femrën e kishte trajtuar si “shakull për të bajtur”, si njëlloj robëreshë shtëpiake, që sjellë në jetë fëmijët, i ushqen, i pastron dhe i rrit me mund dhe kujdes, duke qenë tërësisht  e privuar nga e drejta e barazisë me mashkullin.


Edukata që kanë marrë fëmijët nga nënat shqiptare në të kaluarën përgjithësisht ka qenë një edukatë më humane, sesa edukata që ata kanë marrë kur janë rritur,  nga baballarët apo gjyshërit e tyre, të cilët janë përkujdesur për ta ruajtur traditën, kanunin fenë dhe rregullat shoqërore të fisit e të bajrakut. Duke qenë vetë të nënshtruar në mënyrë fiktive ndaj traditës, fesë dhe dokeve, ata kanë kërkuar nga bijtë dhe bijat e tyre të veprojnë brenda suazave të traditës, me qëllim për të ruajtur dinjitetin, nderin besën, moralin, fenë e atdheun.


 


Femra përgjithësisht në botën shqiptare, në të kaluarën ka lënë shembuj, që i përkasin jetës dhe edukatës. Ajo ishte tepër e përkushtuar për fëmijët dhe krejtësisht e skllavëruar ndaj burrit dhe meshkujve në përgjithësi. Kjo pozitë e pabarabartë mes femrës dhe mashkullit ka sjellë pasoja në edukatë dhe ka shkaktuar fatkeqësi  të rënda shumë më tepër për femrën sesa për mashkullin. Në një familje të tillë ku sundonte mashkulli dhe ku femra ishte madje edhe e poshtëruar dhe e përçmuar, nuk mund të krijoheshin raporte të qëndrueshme të edukatës. Jeta e njeriut ishte kornizuar brenda fiksionit të traditës dhe kanunit, i cili edhe pse i pashkruar ishte përcjellë brez pas brezi dhe ka mbijetuar në mënyrë fenomenale deri në ditët ton.


 


Femra në përgjithësi, ndërsa  femra shqiptare në veçanti është ballafaquar me halle e vuajtje ndër më të ndryshmet. Ajo ka bërë më shumë përpjekje për ta ruajtur familjen sesa mashkulli, ajo ka punuar shumë më tepër për ta ngritur familjen sesa mashkulli, ajo është interesuar shumë më tepër për mbarëvajtjen e familjes, sesa i zoti i shtëpisë. Në përforcim të këtij konstatimi  mjafton të sjellim në kujtesë poezinë antologjike, të Çajupit, “Fshati im” ku ai ka  stigmatizuar botën parazite të meshkujve shqiptarë.


 


O moj shqiptarkë që vetë i nget qetë,


edhe drekë e darkë kthehesh i bën vetë…


Moj e mjera grua, qe do burrë zinë,


që ftohet në krua dhe ti mban shtëpinë…


 


Stigmatizimi që i ka bërë Çajupi rrojtjes parazite të burrit mbi kurriz të gruas, është fenomen i veçantë në letërsinë tonë artistike dhe mbi të gjitha është pasqyrim i një realiteti gati fatal të degradimit të femrës. Gruaja shqiptare, e edukuar sipas traditës dokesore, në mungesë të arsimimit dhe emancipimit ishte kthyer në një skllave pa gojë, e cila rrallëherë merrte vendim për të kundërshtuar. Vetëm kur i rrezikohej bija apo biri, ajo reagonte me tërë forcën.


 


Qortimi i nënës për të birin, me qëllim të ikjes nga rreziku dhe për hir të ruajtjes së traditës


 


Në këngën e mirënjohur të trimërisë për Syllë Rezallën, nëna e qorton të birin, që kishte vrarë çaushin, të cilin e kishte pasur farefis dhe me të cilin ishin rritur bashkë.


-Po e qorton sylën e ama


-Pse nuk ike, Sylë lum nana,


ndërsa Syla i përgjigjet shkurt, madje edhe me një prepotencë të njohur mashkullore me fjalët:


-Me pas ikë, nuk m’u kish këndue kanga.


 


Në dukje të parë këtu nuk hetojmë ndonjë konflikt të thellë, madje duket si përgjigje mendjemadhësie e një burri, i etur për famë dhe për t’ u futur në këngë. Sylë Rezalla nuk kishte vrarë për kapadaillëk, por kishte pasur mundësi t’ ikte belasë dhe pikërisht për këtë edhe e qorton e ëma, duke i bërë me dije se po të lakonte rrugën nuk do ta  kishte vrarë çaushin dhe sejmenët e tij. Këtu hetojmë shpirtin e ndjeshëm të nëne të edukuar, të një nënë të dhembshme dhe të njerëzishme, e cila e çmon jo vetëm jetën e të birit, por edhe jetën e bijve të nënave që ishin veshur në zi. Këtu shihet hendeku i madh që ekzistonte mes botës mashkullore dhe femërore sa i përket disa normave morale dhe qasjes ndaj tyre, në kohën e  sundimit shumëshekullor turk. Vrasja e një çaushi mund të interpretohej si një detyrë patriotike, por në këtë rast,  çaushi, edhe pse i veshur me pushtet harron se atë e kishte rritur  nëna e Sylës, duke e trajtuar si djalë të vetin.


 


Në këngët e trimërisë nuk kemi shënuar shembull kur babai i thotë djalit, pse nuk ike o bir. Përkundrazi, ai  do ta përbuzte ikjen, madje edhe do ta mallkonte djalin, i cili do të merrte guxim për të vepruar kundër traditës së burrërisë. Në pyetjen e komitit, Ndoc Mark Gega, drejtuar babait, a t’ i dorëzojmë hutat apo të luftojmë kundër sejmenëve dhe çaushit,  i cili  u kishte rrethuar kullën,  babai, i drejtohet djalit me fjalët:


 


Mos lashtë Zoti biri jem pa t marrue


Qysh mu ba burri si grue,


Nuk ipet huta pa luftue.


 


Në këtë rast, përfillja e traditës dokesore ka çmim shumë më të lartë sesa vetë jeta. Dhe nuk është ky shembulli i vetëm kur babai e cyt djalin për rezistencë apo hakmarrje, ndërsa te nëna vepron shumë më tepër motivi amënor, motivi i ruajtjes me çdo kusht të jetës, përveç kur është në pyetje tradhtia, besa, nderi.


 


Në këngën e mirënjohur: “Shtatë shaljanët” nëna vëren djalin, që po kthehej duke ngarë kalin me të katra. Ai kishte shkuar te Veziri, në Shkodër vetë i shati dhe po kthehej vetë. Nga frika se djali kishte tradhtuar shokët, ajo  i drejtohet:


 


-Ku je bir, ku i ke lanë shokët,


-Unë për ty i prefsha flokët!


 


Nëna, me këtë rast nuk e mallkon të birin, por mallkon veten duke menduar se djali e ka koritë para shoqeve të veta. Në një rast të tillë të tradhtisë, ajo do ta linçonte veten, duke prerë flokët, meqë preja e flokut të femrës, bëhej vetëm kur ajo thyente nderin, apo kur konstatonte se e kishte koritur, biri, bija apo ndonjë i afërm.


Nëna e Sylë Rezallës dhe ajo e Deli Pjetrit  duken sikur dy antipode, por realisht janë dy nëna, që mbi të gjitha në jetë, ato  duan bijtë e bijat e tyre, madje edhe kur i qortojnë, pasojat e qortimit ia kthejnë vetvetes.


Në rast se biri ka tradhtuar shokët apo atdheun, atëherë nëna mallkon duke ia bërë djalit haram gjirin dhe rriten. Në rast tradhtie, me pasoja për atdheun apo familjen, ajo ndëshkon ashpër duke u hakmarrë si ndaj burrit po ashtu edhe kundër pjellës së vet, ashtu sikur është rasti që këndohet në këngën e Halil Garrisë. Në rast se ka mbetur e vetme, ajo merr gjak për vëllanë, sikur është rasti i Hasime Mirashit, Maro Terbaçit, Sanie Kaçkinit, Zylfije Haklajt etj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Shaqir Cërvadiku, këngëtar i lindur në akordin e çiftelisë

Këngëtari, Shaqir Cërvadiku, ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, …