MINISTRI LEKAJ, PRITI NË TAKIM NJOFTUES UDHËHEQËSIN E RI TË BERZH-IT PËR KOSOVË, NEIL TAYLOR

Ministri Lekaj, priti në takim njoftues udhëheqësin e ri të BERZH-it për Kosovë, Neil Taylor, i cili falënderoi ministrin për pritje dhe theksoi faktin se Kosova është një partner i rëndësishëm i BERZH-it. Në veçanti ai potencoi faktin se deri më tani janë akorduar rreth 330 milion Euro kredi për projekte të infrastrukturës rrugore, që është pjesa më e madhe e të gjitha projekteve të financuara nga BERZH-i në Kosovë,  duke filluar nga zgjerimi i rrugëve ekzistuese për qytetin e Ferizajt, Pejës dhe Gjilanit, pastaj zgjerimi i rrugës Kijevë-Zahaq, por edhe rindërtimi i hekurudhës.  Taylor e informoi ministrin Lekaj se tenderi për përzgjedhjen e operatorit për ekzekutimin e punëve në segmentin e hekurudhës Fushë-Kosovë- Hani i Elezit do të publikohet javën që vjen, ndërsa edhe procedura për segmentin e dytë pritet të finalizohet së shpejti. Më tutje, vazhdimi i autoudhës Besi-Merdare është në fazën e përgatitjes së dokumentacionit nga konsulenti i kontraktuar nga BERZH-i për të cilin Bashkimi Evropian ka ndarë një shumë prej 4,2 milion Euro, me përkushtimin e BERZH-it për financimin e këtij projekti në pjesën e Kosovës, ndërsa vazhdimin e autostradës deri në Nish do të bëhet me financim të Bankës Investive Evropiane (EIB). Ministri e falënderoi  Taylor për lajmin e mirë se ekzekutimi i punëve në infrastrukturën hekurudhore do të filloj së shpejti dhe e informoi njëkohësisht Taylor se projekti i zgjerimit të rrugës Kijevë-Zahaq i financuar nga BERZH është në vijim e sipër dhe se shumë shpejt pritet të bëhet përzgjedhja e operatorit dhe fillimi i punimeve. Lidhur me projektet e reja, ministri Lekaj tha se vazhdimi i autoudhës Besi-Merdare dhe blerja e pajisjeve për avancimin e teknologjisë në kontrollin e trafikut ajror të ASHNA do të bëhen me financim nga BERZH. Në takim u diskutua edhe për projektet tjera të ndërtimit të infrastrukturës rrugore. Ministri Lekaj, tha se ndërtimi i rrugëve të reja dhe rindërtimi i rrugëve ekzistuese është një objektiv i përhershëm i vendit tonë dhe se Ministria e Infrastrukturës do të jetë e përkushtuar që të gjitha projektet ekzistuese të përfundojnë me kohë dhe pa ngecje në punë. Në këtë drejtim, ministri e siguroi shefin e BERZH-it për Kosovë, se çdo zyrtar i ministrisë do të jetë në krye të detyrës deri në përfundimin e secilit projekt të financuar me paratë e huazuara nga BERZH. Të dy palët u pajtuan që të përcillet me përpikëri në baza të rregullta kohore puna në zbatimin e projekteve të BERZH-it sipas planit dinamik të punimeve me qëllim të përfundimit të tyre me kohë.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …