Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka rikujtuar një rast të rëndësishëm lidhur me vendimet e gjyqtarit Radomir Llaban në Gjykatën Kushtetuese, që sipas tij favorizuan subjektin politik Vetëvendosje në emërime jashtëligjshme. Ai tha se Llaban, në rolin e gjyqtarit raportues, ka miratuar një seancë parlamentare ku u zgjedhën drejtues të disa institucioneve të pavarura, përfshirë guvernatorin e Bankës Qendrore, anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, kryesuesin dhe anëtarë të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si dhe bordin drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale. Sipas deputetit të PDK-së, kjo seancë u zhvillua në mënyrë të jashtëligjshme dhe u legjitimuar nga vendimi i Llabanit, duke mundësuar që Vetëvendosje të vendosë anëtarë të saj në pozita kyçe. Tahiri ka theksuar se “kur Vetëvendosje dëshiron të sistemojë jashtëligjshëm anëtarë të saj në borde e pozita kyçe, vendimet e Radomir Llabanit i respektojnë dhe i lavdërojnë.”
