Adem Lushaj: Nderohet jeta dhe vepra e dëshmorit Sokol Mehmetaj – Loku

Adem Lushaj: Nderohet jeta dhe vepra e dëshmorit Sokol Mehmetaj – Loku

Në një ceremoni solemne dhe përkujtimore, të organizuar nga Komuna e Istogut, nën udhëheqjen e kryetarit Ilir Ferati, me pjesëmarrjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës Anton Quni, Armend Zemaj dhe Fadil Hadërgjonaj, u zbulua pllaka përkujtimore e dëshmorit Sokol Mehmetaj – Loku, njërit prej veprimtarëve të hershëm të çështjes kombëtare dhe ndër dëshmorët e parë të rënë për lirinë, demokracinë dhe arsimin shqip në Kosovë.
Në ceremoni morën pjesë familjarë të dëshmorit, bashkëveprimtarë të dikurshëm, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan jetën dhe veprën e Sokol Mehmetaj – Lokut, i vrarë më 13 janar 1992, për shkak të angazhimit të tij në mbrojtje të shkollës shqipe dhe organizimit politik për liri.
Sokol Mehmetaj – Loku ishte ndër aktivistët e hershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit lokalë të LDK-së në zonën e Zallqit, ku, me besimin e komunitetit, u zgjodh kryetar i Këshillit Lokal të kësaj partie. Ai njihej si veprimtar i përkushtuar, i lidhur ngushtë me arsimin, solidaritetin njerëzor dhe organizimin qytetar.
Në kohën kur pushteti serb kishte mbyllur shkollat shqipe dhe kishte suprimuar institucionet e Kosovës, Mehmetaj ishte ndër zërat më të vendosur që mësimi në gjuhën shqipe të mos ndalej. Me iniciativa konkrete dhe guxim qytetar, mësimi vazhdoi nëpër oda dhe shtëpi private, duke ruajtur gjallë arsimin shqip edhe në kushtet e represionit të ashpër.
Vrasja e tij ndodhi pas një mbledhjeje ku ishte marrë vendimi për vazhdimin e mësimit në gjuhën shqipe. Ky akt kishte për qëllim frikësimin e popullatës dhe shuarjen e rezistencës qytetare shqiptare, por, sipas bashkëkohësve dhe dokumentimeve të kohës, ai vetëm sa e forcoi vendosmërinë për të vazhduar rrugën e lirisë dhe të qëndresës paqësore.
Pllaka përkujtimore e zbuluar do të shërbejë si simbol kujtese dhe reflektimi për brezat e rinj, duke dëshmuar se liria dhe arsimi shqip janë rezultat i sakrificës së njerëzve që nuk u pajtuan me padrejtësinë. Figura e Sokol Mehmetaj – Lokut mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së rezistencës paqësore dhe e qëndresës qytetare në Kosovë.
Vepra e dëshmorëve mbetet obligim moral dhe historik për shoqërinë, që kujtesa të mos mbetet vetëm përkujtim ceremonial, por të shndërrohet në mësim, përgjegjësi dhe angazhim për të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Ndërron jetë veterani i UÇK-së Nazmi Krasniqi nga fshati Pastasel

OVL – Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Komunën e Rahovecit, ka …