‘’Pax Amerikana’’ ishte një strategji amerikane e ruajtjes së rendit global dhe të paqes në botë. Ajo strategji është mbështetur në fuqinë amerikane: ekonomike, ushtarake, teknologjike dhe normative dhe ka vepruar si faktor stabiliteti në botë. Me këtë strategji dhe me fuqinë e vet, Amerika kishte aftësinë dhe vullnetin t’iu impononte shteteve tjera sjelljen dhe t’iu garantonte aleatëve të saj sigurinë; t’i ndëshkonte ata që shkelnin rendin. Me një fjalë, dihej se kush ishte arbitri global dhe kush vendos në instancën e fundit për çështjet me rëndësi botërore. Dhe kjo strategji amerikane ka funksionuar qysh prej Luftës së Dytë Botërore deri më tash, pra qe plot 70 vjet.
Po, a është lodhur e shpenzuar Amerika me intervenime të rajone të ndryshme të botës, apo po i kthehet vetvetes, sipas parimit ‘’Amerika First’’?
Me riardhjen e presidentit Donald Tramp në krye të ShBA-ve, strategjia ‘’Pax Amerikana’’ po zbehet dhe po rrënohet gradualisht. Kjo po ndodhë në mënyrë fragmentare, varësisht nga prioritetet e interesave amerikane në botë.
Europën qysh tash e kanë kapur ethet nga politika e ftohjes së marrëdhënieve dhe të mbështetjes amerikane për kontinentin e vjetër, sidomos pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, kur Presdienti Tramp shprehimisht ka thënë se Europa duhet të përgatitet vet për mbrojtje. E si do të shprehet kjo strategji e re amerikane në rajonin tonë, në Ballkanin e trazuar me kontradita të ashpra dhe me ambicje hegjemoniste sllave?
Strategjia më e re e politikës dhe sigurisë kombëtare amerikane është përcaktuar me Ligjin Kombëtar të Mbrojtjes për Vitin 2026 (National Defense Authorization Act for Fiskcal Year 2026; NDAA), një ligj voluminoz prej 3096 faqe, në të cilin është përcaktuar hollësisht vizioni dhe roli strategjik i ShBA-ve, përmes buxhetit për ushtrinë amerikane, në shumë 901 miliardë dollarë, për modernizimin me teknologji dhe me armë të reja.
Sa i përket Ballkanit Perëndimor, Ligji NDAA e përcakton këtë si rajon me rëndësi strategjike për stabilitetin e Europës. Prandaj i sugjeron Europës të jet vet e përgatitur, por që edhe ShBA-të do ta mbështesin këtë rajon me reforma ekonomike, diverzifikim energjetik dhe sundim të ligjit, në mënyrë që ta largojë rajonin nga ndikimi i Rusisë. Ligji i përmendur vlerëson se interes themelor i rajonit është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Bashkimin Europian dhe në NATO. ShBA do të vazhdojë ta mbështesë rajonin e BP në luftën kundër korrupsionit, ta mbështesë sundimin e lgjit, pavarësinë e institucioneve, transparencën, programet arsimore, shoqërinë civile dhe sigurinë nga lufta snajber.
Në mënyrë shprehimore Ligji përmend Kosovën dhe përcakton se ShBA do ta mbështesin integrimin euro-atlantik të Kosovës, refuzon çfarëdo ideje të ndarjes politike, të këmbimit të territoreve apo të ndryshimit të kufijve. ShBA nuk pranojnë vizatim të ri të kufijve, ndërsa Kosova mund të llogaris në mbështetjen e ShBA-ve për t’u integruar në BE dhe në NATO, në suaza të kompromisit të pranueshëm midis Beogradit e Prishtinës, të bazuar në njohjen reciproke.
Me këtë përcaktim në strategjinë amerikane për mbështetjen e Kosovës, diplomacia e Kosovës përherë dhe vazhdimisht duhet të jetë aktive dhe bashkëpunuese me ShBA-të.
Sepse sado që ShBA i kthehet vetvetes, nuk do të tërhiqet nga roli i saj dominant në politikën dhe sigurinë globale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
